Nën kryetari i PD-së, Edi Paloka duke u ndalur tek shoqërimet e disa personave që u përfshinë në konfliktet në disa KZAZ, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po e çon vendin në përplasje fizike.

 

Paloka, përmes një deklarate për mediat nga selia blu është shprehur se  policia e shtetit po përdoret si bandë nga ministri Lleshaj dhe nga kreu i qeverisë.

 

“Duke përdorur mjetet represive të goditjes së qytetarëve dhe kundërshtarëve politikë, Edi Rama po mbron karrigen e blerë në bashkëpunim me krimin e organizuar dhe bandat në të gjithë Shqipërinë. Kjo është arsyeja përse Edi Rama dhe Sandër Lleshaj po e përdorin sot policinë si bandë kundër popullit, në shkelje të Kushtetutës, në shkelje të ligjit dhe të dekretit të Presidentit që ka shfuqizuar 30 Qershorin. Krim, kryen kushdo që refuzon apo ndalon zbatimin e ligjit, në rastin konkret, Edi Rama, Sandër Lleshaj dhe policët që sillen si banditë me uniformë. Kjo i bën ata zyrtarisht dhe ligjërisht një bandë të armatosur, pa ligj e pa ligjshmëri. Qytetarët duhet ta dinë se çdo akt dhe thirrje për 30 Qershorin e Edi Ramës dhe i Sandër Lleshaj është antikushtetues dhe i paligjshëm. Edi Rama është i vetmi i interesuar për dhunë dhe përplasje civile, sepse tani ai ka dalë zbuluar përpara qyetarëve dhe gjithë botës. Por plani i tij për përplasje dhe  konfilkt civil në Shqipëri, do të dështojë. Dhuna dhe kërcënimët e paligjshme ndaj popullit nuk bëjnë asgjë tjetër veçse japin alarmin e menjëhershëm që çdo qytetar të jetë në këmbë për mbrojtjen e demokracisë, rendit kushtetues, lirive dhe të drejtave të tyre.”

 

Gjithashtu Paloka ka bërë thirrje qytetarëve që ti bashkohen protestës së të premtes së 21 qershorit në orën 20.00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *