Përpjekjet e Uashingtonit për sigurimin e paqes në lindjen e mesme duket se kanë shkaktuar efekt të kundërt në rajon, duke u kritikuar si të njëanshme.

Të martën, presidenti Donald Trump në një deklaratë të përbashkët me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, prezantoi planin e paqes për Lindjen e Mesme. Kreu i shtëpisë së bardhë e quajti marrëveshjen e shekullit, sipas të cilës Jeruzalemi do të mbetet kryeqyteti i pandarë i Izraelit.

Por presidenti i Palestinës Mahmoud Abbas e ka konsideruar komplot, duke shtuar se Jeruzalemi nuk ka dalë në shitje. Palestina ndërpreu lidhjet me SH.B.A. pasi Uashingtoni njohu Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit më shumë se dy vjet më parë.

 

MAHMOUD ABBAS

 

PRESIDENT I PALESTINES

 

“Të gjitha të drejtat tona nuk janë për pazare. Komplotet dhe planet kundër kauzës palestineze janë të dënuara të dështojnë. Ne do të fillojmë një fazë të re të dialogut palestinez dhe do t’i kapërcejmë dallimet tona me veprim të përbashkët. Dua të falenderoj të gjithë palestinezët për qëndrimin e tyre të vendosur përballë okupimit dhe për refuzimin e të ashtuquajturës marrëveshje të shekullit që nuk do të funksionojë”.

 

Propozimi u prit me zemërim nga protestuesit në rripin e Gazës dhe në Bregun Perëndimor, demonstratat pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

 

Zyrtarët në Rripin e Gazës e konsideruan deklaratën e Trump një marrëzi dhe paralajmëruan se do të ngjallte shumë zemërim pasi Jeruzalemi do të jetë gjithnjë toka e Palestinezëve.

 

Ndërkohë Organizata e Kombeve të Bashkuara ka deklaruar se do të mbështesë bisedimet për paqe ku do të jenë të përfshira Izraeli dhe Palestina, në bazë të rezolutave ndërkombëtare.

 

Ndërsa Presidenti turk Rexhep Erdogan tha se propozimi nuk do të shërbejë për paqen dhe zgjidhjen në rajon, duke e quajtur atë një plan për të injoruar të drejtat e palestinezëve dhe për të legjitimuar okupimin e Izraelit.

Izraeli dhe Palestina kanë qenë në konflikt për dekada të tëra për çështje të ndryshme politike siç janë kufijtë, refugjatët dhe kontrolli i Jeruzalemit.

Plani i paqes i propozuar nga amerika parashikon një shtet palestinez dhe njohjen e sovranitetit të Izraelit mbi vendbanimet e Bregut Perëndimor. Jeruzalemi do të mbetet kryeqyteti i pandarë i Izraelit, por kryeqyteti Palestinez do të përfshijë zona të Jerusalemit Lindor.

Palestina dhe vendet kryesore muslimane janë shprehur tërësisht kundër këtij plani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *