Subscribe

Qeveria do të ketë gati në shtator paketën e dytë mbështetëse për familjet dhe bizneset që preken më shumë nga rritja e çmimeve.

 

Rishikimet në buxhetin e shtetit mundësojnë që mbështetja të vijojë edhe për tre muajt e fundit të vitit për familjet më në nevojë, me të njëjtat kritere si në paketën e parë, ku përftimi parashikohet të jetë 3 mijë lekë në muaj.

 

Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj, në një intervistë për Vizion Plus tha se kjo paketë nis zbatimin në vjeshtë.

 

“Po marrim në konsideratë hartimin e një pakete të re në vjeshtë, ku përveç kompensimit të energjisë elektrike, merr parasysh edhe mbështetjen e familjeve njësoj si në paketën e kaluar, por edhe ato biznese që preken nga rritja e çmimit të karburanteve, siç bëmë më parë. Gjithashtu është krijuar hapësirë në buxhet për përballimin e kostove të ndërtimit në zbatim të aktit normativ të miratuar. Me këtë paketë në duam të nxisim ekonominë vendase dhe të frenojmë sa të mundim rënien e konsumit të popullatës.” – u shpreh Ibrahimaj.

 

Por ndryshe nga paketa e parë, këtë herë qeveria ka menduar që të mbështesë të gjithë ata fermerë që do të duan të prodhojnë grurë, duke i subvencionuar me qëllim rritjen e prodhimit. Detajet e skemës që do të aplikohet pritet të qartësohen në ditët në vijim.

 

“Ndërkohë që do të mbështesim edhe bizneset, fermerët me karburant, transportin publik dhe peshkimin që përdor karburant. Gjithashtu kemi parashikuar një mbështetje për fermerët me qellim subvencionimi e prodhimit te grurit, meqë kemi më shumë mungesa në tregje të këtij produkti, për shkak të luftës. Po hartojmë një instrument me qellim garantimin e prodhimit të grurit për vitin e ardhshëm. Po punojmë që kriza e ofertës së energjisë dhe të grurit të mos prekë vendin tonë.” –  shpjegoi Ibrahimaj.

 

E gjithë vëmendja në vjeshtë duket se do të jetë tek energjia, çmimet e të cilës në bursa kanë kaluar çdo parashikim, ndërsa pritshmëritë për më tej nuk janë optimiste.

 

“Ne kishim parashikuar që çmimet e energjisë do të arrinin pikun në muajin qershor, por ditët e fundit kemi parë që këto çmimet kanë kaluar në nivele të pahasura më parë. Kemi parashikuar fond shtesë për përballimin e situatës, por ndikimi i tij në inflacion dhe në rritjen e kostove të prodhimit do të vijojë- vijon më tej ministrja.

 

Pavarësisht debateve, qeveria nuk ka në plan që të tërhiqet nga përcaktimi i çmimeve nëpërmjet bordeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *