Duke komentuar përplasjet brenda PD-së, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Fatos Hoxha, ka dalë kundër lëvizjes së ish-kryeministrit Sali Berisha, “Foltorja”.

 

Hoxha shkruan se moto e lëvizjes së Partisë Demokratike nuk mund të jetë “bashkimi”, por ndarja nga trashëgimia e keqe, nga politikat e dështuara e korrupsioni i qeveritarëve.

 

Sipas tij, interesi i demokratëve shqiptarë dhe interesi i partisë nuk kanë asnjë pikë të përbashkët me interesin e “pengmarrësve”.

 

Postimi i plotë:

“Ndarje “ apo “Bashkim”?

Interesi i demokratëve të Shqipërisë dhe interesi i PD nuk kanë asnjë pikë takimi me interesin e “pengmarrësve”.

Prandaj ata nuk mund të bëhen bashkë.

Është iluzion dhe naivitet përpjekja për të mbajtur të bashkuara gjëra që nuk mund të rrinë bashkë, sepse nuk mund të pajtohen, pasi nuk e duan e nuk e durojnë dot njëra-tjetrën.

Në këtë kuptim moto e levizjes në PD nuk mund të jetë “bashkimi”, por duhet të jetë “ndarja”.

Ndarja nga trashëgimia e keqe, nga politikat e dështuara, nga modeli i keqqeverisjes dhe qeveritarët e korruptuar, ndarja nga korrupsioni, klientelizmi, keqpërdorimi i shtetit, kultura e pandëshkueshmërisë, nga penetrimi i krimit në politikë dhe kapja e shtetit.

Interesi i PD kërkon që bashkimin ta kërkojmë tek morali, përkushtimi, modestia, përulësia, vlerat njerëzore, shërbimi ndaj qytetarëve dhe parimet e shtetit ligjor.

Pa bërë NDARJEN nuk ka ringritje!

Pa ringritje nuk ka shpresë!

Kaq e thjeshtë është analiza.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *