Operatori i shpërndarjes së energjisë elektrike ka përfunduar investimin për ndërtimin e 5 fidrave të rinj me dalje nga nënstacioni i Spitallës. Drejtues të OSHEE-së shprehen se këto fidra janë lidhur në sistem unaze dhe kanë përmirësuar ndjeshëm furnizimin me energji elektrike të qytetit të Durrësit. Administratori i OSHEE-së Adrian Çela pas ka inspektuar punimet që janë kryer në nënstacion tha se tashmë nuk do të përsëriten më probleme si ai që ndodhi gjatë verës ku për shkak të një defekti të shkaktuar nga një firmë në rrugë, qyteti mbeti pa energji për disa orë. Çela shtoi se me këtë investim reduktohen ndjeshëm humbjet ndërkohë që menaxhohet më mirë ngarkesa në rrjet. I gjithë investimi i kryer me fonde të OSHEE shkon në 1.5 milion euro, ndërkohë që është kryer rikonstruksioni i 9 kabinave së bashku me shtrimin e kabullit të tensionit të mesëm 20 kilovolt me gjatësi 22.3 km. OSHEE ka planifikuar investime të tjera për rajonin e Durrësit ku më i rëndësishmi është ai për ndërtimin e katër fidrave të rinj në Shkozet së bashku me rikonstruksionin e 65 kabinave me vlerë 4 milion euro. Për të përballuar ngarkesën gjatë sezonit turistik OSHEE ka planifikuar ndërtimin e dy fidrave të rinj në zonën e plazhit si dhe ndërtimin e një nënstacioni elektrik në gjirin e Lalëzit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *