Një ekip monitorues i OKB-së që vizitoi Ukrainën thotë se shumë shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar dhe të të drejtave të njeriut që dyshohet se janë kryer nga forcat ruse, mund të përbëjnë krime lufte.

 

Ekipi ka dokumentuar me qindra shkelje që kur Rusia sulmoi Ukrainën 76 ditë më parë. Megjithatë, sipas kryetares së misionit të OKB-së për monitorimin e të drejtave të njeriut në Ukrainë, Matilda Bogner, provat e mbledhura deri më tani nuk e pasqyrojnë përmasën e vërtetë të mizorive të kryera gjatë asaj kohe.

 

Raportet e fundit tregojnë se në luftë deri tani janë vrarë ose plagosur më shumë se 7,000 persona (nga të cilët 3,390 janë vrarë). Zonja Bogner thotë se numri aktual ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë.

 

Ajo shton se çdo vdekje nuk është vetëm një statistikë. Çdo vdekje është një person të cilit i është shkatërruar jeta, të cilit i janë zhdukur ëndrrat për të ardhmen. Rusia i ka hedhur poshtë pretendimet se ka vënë nën shënjestër civilë. Javën e kaluar, zonja Bogner dhe ekipi i saj vizituan14 qytete në rajonet e Kievit dhe Chernihiv.

 

Ajo thotë se njerëzit që takuan u kishin treguar rreth të afërmve dhe miqve të tyre, që ishin qëlluar dhe vrarë nga rusët ndërsa përpiqeshin të largoheshin për të shpëtuar. Në një fshat, thotë ajo kishin takuar një burrë 70-vjeçar, i cili kishte kaluar 24 ditë i fshehur në bodrumin e një shkolle.

 

“Ai na tha me lot në sy se ndante një dhomë prej 76 metrash katrorë me 138 persona, më i vogli ishte vetëm dy muajsh. Hapësira ishte aq e shumë e mbushur me njerëz, saqë atij i ishte dashur të flinte në këmbë dhe ndaj ishte lidhur pas disa trarëve prej druri që të mos rrëzohej”, tha ajo.

 

Zonja Bogner thotë se ekipi i monitorimit pa shkolla, spitale, e ndërtesa banimi të shkatërruara në shumë prej zonave që vizitoi. Në të gjithë Ukrainën, thotë ajo janë dëmtuar të paktën 50 objekte që i përkasin besimeve të krishtera, hebre dhe myslimane.

 

Ajo thotë se ekipi ka marrë informacion të besueshëm mbi vrasjet, torturat, akuzat për përdhunim, duke përfshirë përdhunimet në grup, si dhe zhdukjen e njerëzve.

 

“Ne dokumentuam disa raste kur forcat e armatosura ruse kishin arrestuar civilë, kryesisht të rinj, duke i transferuar ata në Bjellorusi dhe më pas në Rusi, ku mbahen në qendrat e paraburgimit. Në përgjithësi, që nga 24 shkurti, ne kemi dokumentuar 204 raste të personave të marrë me detyrim, shumica dërrmuese e tyre nga forcat e armatosura ruse dhe grupet e armatosura të lidhura me to”, tha ajo.

 

Zonja Bogner thotë se ekipi i saj ka marrë njoftime se robërit e luftës i janë nënshtruar torturës e keqtrajtimit si nga forcat e armatosura ukrainase ashtu edhe nga ato ruse. Sipas saj kjo përbën shkelje të rregullave themelore të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe që duhet të ndalet.

 

Misioni monitorues pritet të nxjerrë një raport mbi gjetjet e tij në muajin qershor. Ndërsa abuzimet që dyshohet të jenë kryer si nga forcat ruse ashtu edhe nga ato ukrainase janë të dokumentuara, ajo vë në dukje se niveli i shkeljeve të kryera nga Rusia është dukshëm më i lartë./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *