Subscribe

Pothuajse të gjitha vendet e botës po përballen me shpërthimin agresiv të koronavirusit të ri, duke regjistruar çdo ditë e më shumë persona të vdekur dhe të infektuar. Pandemia është qetësuar në vendet aziatike, por virusi është zhvendosur fuqishëm në Europë. Qeveritë kanë ashpërsuar masat në kuadër të distancimit social për të ngadalësuar përhapjen, por Organizata Botërore e Shëndetësisë bën thirrje per veprime agresive.

 

TEDROS ADHANOM GHEBREYESUS

DREJTOR I PERGJITHSHEM I OBSH

“Tani më e rëndësishme është ajo që ne bëjmë. Ne duhet ta sulmojmë virusin me taktika agresive, duke testuar çdo rast të dyshuar, të izolohet dhe të mbahet nën kujdes çdo rast i konfirmuar si dhe të gjurmohet e  karantinohet çdo kontakt i afërt.”

 

Kreu i OBSH vuri në dukje nevojën që më shumë se kurrë të mbrohet stafi mjekësor dhe bëri të qartë se nuk ka ende një trajtim që të ketë rezultuar efektiv ndaj Covid-19 por kërkimi shkencor vijon intensivisht në shumë vende të botës.

 

Pas Spanjës e Francës, edhe Britania e madhe ka ashpërsuar masat për mbylljen në shtëpi. Kryeministri Boris Johnson bëri të ditur se qarkullimi do të lejohet vetëm për nevojat thelbësore. Numri i viktimave ka shkuar në 335 dhe 6650 persona janë infektuar. Franca numëron 860 viktima dhe rreth 20 mijë pacientë mbartës të Covid 19.

 

Qeveria ndaloi shitjen në masë te ilacit kundër malaries, hidroksiklorokinë duke argumentuar se nuk ka prova të mjaftueshme për efektivitetin e tij. Spanja po përballet me një betejë dramatike, 2316 pacientë humbën jetën ndërsa numri i të infektuarve i ka kaluar 35 mijë. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kurba vjen në rritje. 582 persona kanë vdekur dhe më shumë se 46 mijë të tjerë janë infektuar. Presidenti Donald Trump urdhëroi vendosjen e trupave të Gardës Kombëtare në tre shtetet më të goditura, Kaliforni, New York dhe Washington.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *