Në një konferencë për shtyp, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh se gratë dhe vajzat do të “hakmerren” ndaj Edi Ramës dhe do ta ndëshkojnë me votë.
Duke u ndalur te gjuha e përdorur nga kryeministri Rama gjatë fushatës, i cili i ka quajtur burrat që votojnë opozitën “çyrykë”, Berisha tha se asnjë grua nuk dëshiron t’i shajnë bashkëshortin.
Berisha: Edi Rama ka zgjedhur një fushatë specifike, me gra dhe vajza, me besimin e madh se, duke ju adresuar vetëm atyre, me elementë të përroit Frojdjan do mundet në një mënyrë ose në një tjetër, ti mashtrojë për votën. Dhe këtu tregon cektësinë e tij. Së pari, nuk ka grua, nuk ka nënë dhe motër, që i vjen mirë t’ia shash, burrin, vëllain, bashkëshortin dhe babain. Cili do qoftë ai. Ata janë krenaria e njëri-tjetrit, si burri dhe gruaja, fëmijët.
Edi Rama ka zgjedhur këtë duke harruar se kohërat kur gruaja ka qenë nënë fëmije dhe objekt seksi, kanë marrë fund dhjetëra e dhjetëra vite më parë. Sot gratë janë shtyllë e shtëpisë, janë aksionere në çdo arritje të familjes dhe asgjë s’mund ti joshë dhe mashtrojë ato, për të krijuar diferencën sado të vogël të eprisë, apo nëneprisë në raport me burrat e tyre.
Mënyra se si u adresohet, unë them se, është një gjë që ai përpiqet në një mënyrë apo në një tjetër të kapërcejë traumat, plagët, lëndimet që i ka krijuar ai, nënës, vajzës, gruas shqiptare duke i detyruar bashkëshortin të largohet në emigracion për kafshatën e fëmijëve. Duke i detyruar fëmijët të largohen sepse nuk mjafton sofra për ti ushqyer.
Duke detyruar nënën të përpiqet me dy ose tre punë, ku të gjejë për të ushqyer fëmijët e vet, duke rrënuar shkollën e fëmijëve të saj. Pra në qoftë se ka, sot shqiptar që do i hakmerren më shumë Edi Ramës, janë gratë dhe vajzat shqiptare për atë që ai u ka shkaktuar atyre me politikat e tij./vizionplus.tv