Kryeministri Edi Rama bëri të qartë se çdo socialist do të duhet të përballet i vetëm me drejtësinë, nëse ka telashe. Në takimin me grupin e vjetër dhe të ri parlamentar, kreu i socialistëve tha se PS-ja nuk do të jetë mburojë për askënd.

 

“Duhet të jetë e qartë për të gjithë ne se kur dikush që e ka në ballë logon e PS ekspozohet në organet e drejtësisë si ndikues apo përfitues i paligjshëm të mirash publike, faji është i tiji, por turpi është i të gjithë neve nëse nuk e vendosim të qartë dhe të drejtë vijën e kuqe. Kjo skuadër nuk do të jetë kurrë as streha dhe as mburoja e askujt që me veprimet e veta cenon partinë. Nuk mbajmë përgjejgjësi pse një individ shkel mbi flamurin e vlerave dhe parimeve. Distancohemi prej aktit të tij apo edhe prej atij vetë, kur në mes hyn vetë drejtësia.”

 

Rama kërkoi nga të tijët që të heqin dorë edhe nga ndërhyrjet për të punësuar apo mbajtur në punë në administratën shtetërore njerëz që nuk e meritojnë.

 

“Kërkoj një vështrim kritik mbi vetveten në radhë të parë. Secili këtu duhet të kërkojë brenda vetes çfarë mund të kishte bërë më mirë, çfarë nuk shkoi, si do të duhej në punën e vet. Kjo këtu sot është skuadra drejtuese e PS, skuadra drejtuese e vendit në 4 vitet e ardhshme, që duhet tu japë drejtim shumë punëve, që duhet t’i përgjigjet çdo qytetari në nevojë. Kjo skuadër nuk mund të jetë në lartësinë e një sfide të re dhe as të objektivave që vetvetiu vendosen përpara, nëse nuk lufton përditë me sjelljet e veta të vjetra. Duhet të përgatitemi të gjithë për operacione të vështira, vendime jo të lehta, punë aspak të lehta. Duhet të jenë të gjithë të gatshëm për të hequr dorë nga lojërat e dëmshme. Duhet të jenë të gjthë të angazhuar që jo vetëm ta luftojmë, por secili ta luftojë nepotizmin dhe klientelizmin. Duhet ta ngulim mirë në kokë që ndërhyrjet për të mbajtur në punë individë të paaftë apo makutët që e mbajnë dorën te xhepat e qytetarëve, njerëz që nuk e meritojnë të punojnë për shtetin shqiptar, janë sjellje armiqësore me besimin e atyre që na dhanë votat për të drejtuar vendin, janë tradhtia më e madhe ndaj të gjithë fëmijëve të këtij vendi.”

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *