Gazetari shqiptar Enver Robelli dha një propozim për ata që janë të mërzitur me drejtuesit lokalë. Në këtë rast, Robelli tha në “Facebook” se mund të zgjidhet një emër gjerman që të drejtojë. Për këtë, ai mori si shembull Rumaninë, e cila sipas tij, ka zgjedhur një kryetar gjerman në qytetin e Temishvarit.

 

 

“Një eksperiment rumun: Temishvari zgjedh një gjerman për kryetar të qytetit. Jeni dëshpëruar me politikanët lokalë? Me sulltanët provincialë që nuk punojnë gjë? Me bajraktarët që qeverisjen e shohin si mundësi për të ndukur nga ndonjë tender publik? Jeni lodhur nga korrupsioni? Papastërtia? Mosfunksionimi i shërbimeve elementare komunale? Qe ilaçi: zgjidhe një gjerman! Kështu kanë vepruar zgjedhësit në Temishvar të Rumanisë. Në këtë vend të BE-së në fundjavë janë mbajtur zgjedhjet komunale. Në katër vitet e ardhshme kryetar i Temishvarit do të jetë gjermani Dominic Fritz. Ai nuk është gjerman nga pakica gjermane e Rumanisë. Fritz është lindur në trevën e Schwarzwaldit në Gjermaninë jugore.”

 

Midis të tjerash, redaktori i të përditshmes zvicerane “Tagesanzeiger”, përmend edhe Presidentin e Rumanisë, që sipas tij është me origjinë gjermane.

 

“Që nga viti 2016 Rumania ka edhe një president me origjinë gjermane: Klaus Iohannis. Por Iohannis është gjerman i Rumanisë, më parë ka qenë kryetar i qytetit Sibiu (Hermannstadt). Në këtë qytet një pjesëtare e pakicës gjermane mbetet kryetare. Në një komunë të Bukureshtit ka fituar francezja Clothilde Armand. Rumania duket se po shndërrohet në një laborator interesant demokratik. Kur s’je i kënaqur me politikanët vendorë, gjej ndonjë tjetër në Perëndim. Kjo duket të jetë maksima e re.”

 

Enver Robelli shtoi se diaspora rumune ka qenë mjaft aktive edhe në organizimin e protestave kundër politikanëve të korruptuar. Ai theksoi se kjo betejë është pjesërisht e suksesshme.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *