Kryeministrit Edi Rama ju desh një postim i gjatë i bërë në “Facebook” për të shpjeguar edhe një herë deklaratat e Greqisë për zgjerimin e kufirit detar.

Duke përsëritur veten, kreu i qeverisë theksoi se nuk ka as marrëveshje, as shitje dhe as falje të detit. Ironinë ndaj atyre që hedhin akuza për këtë çështje Rama nuk e kurseu.

Ai deklaroi i prerë se një marrëveshje për detin nuk mund të jetë kurrsesi e fshehtë sepse në këtë rast nuk vihet dot në zbatim.

“Shoh që vazhdojnë disa të shajnë e të mallkojnë, lidhur me “shitjen” e detit dhe meazallah se hanë pykë, kur u thua nuk ekziston as shitja, as falja, as vetë marrëveshja për detin! Disa prej tyre janë të verbër e të shurdhët me sytë e veshët top, por mendja e mbledhur top me litarët e opozitës sonë në krizë për mend, i bën të pakurueshëm. Disa të tjerë janë sinqerisht të shqetësuar për këtë çështje, megjithëse e kemi sqaruar që nuk ka asnjë arsye për shqetësim. Të parëve s’kemi ç’u bëjmë, nuk duan të dëgjojnë, të lexojnë, të kuptojnë. Të dytëve po u ridrejtohem, me shpresën që do mund të dalin nga dallga artificiale e kësaj loje të ulët politike! Për kufijtë mes dy shteteve s’mund të ekzistojë asnjë marrëveshje e fshehtë. Nuk bëhen marrëveshje të fshehta për këtë punë, sepse s’kanë asnjë vlerë mbi detin e mbi tokën për sa kohë janë të fshehta. A keni parë ndonjë dokument të firmosur e të vulosur për këtë detin që paskam dhënë, shitur a falur unë? Jo nuk keni pare, sepse nuk ka dhe s’ka se si të ketë një të tillë.”

Edhë një herë tjetër, Edi Rama riktheu në vëmendje paktin e detit të firmosur nga Partia Demokratike, por që më pas u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.

“Sot po këta që e bënë atë marrëveshje antikombëtare dhe e futën edhe detin në çorbën e Shqipërisë që qeverisën, prej padijes së tyre të dhimbshme a prej shpërfilljes sportive të interesit kombëtar ose të dyjave bashkë, kanë kapur kallamat me dorë e kanë dalë për gjahun politik të radhës. Për të mbrojtur detin nga unë! O Zot!”

Sipas numrit një të qeverisë, Ilir Meta, Sali Berisha dhe Lulzim Basha janë gati të bëjnë pazare me detin sa herë që vijnë në pushtet.

“Duhet të jesh peshk i trullosur komplet që ta hash karemin se Lulëzim Basha, Ilir Meta dhe Sali Berisha (shyqyr Monika ia ka lënë Peço peshkatarit grepin këtë herë, se është e zënë me skuqje karkalecash me muzikë Desperado:-), po mbrojnë sot nga unë detin që e kanë zakon ta bëjnë kos e dhallë, sa herë zënë dybekun e pushtetit me dorë. Megjithatë, fatkeqësisht, u ka zënë grepi gjithnjë peshq të trullosur dhe s’kanë faj që vazhdojnë ta hedhin përditë në detin e muhabetit publik, karemin e politikës së tyre pa din e as iman.”

Kryeministri sqaroi se çfarë realisht tha dhe çfarë donte të kuptonte kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis kur përmendi zgjerimin e kufirit detar.

“Fjala e kryeministrit grek në parlament, siç e kam shpjeguar më parë, nuk ka asnjë lidhje me ujërat territorialë të Shqipërisë, me ndonjë marrëveshje mes Greqisë dhe Shqipërisë apo me ndonjë punë të Shqipërisë që lidhet me të drejtën e vendit fqinj për ato 12 miljet e stërpërfolura, sikur të ishin 12 kamiona me ujë deti që unë i paskesha kaluar fshehurazi në shtetin fqinj. E drejta e 12 miljeve buron nga Konventa Ndërkombëtare e të Drejtës së Detit dhe Greqia nuk ka kufij detarë vetëm me Shqipërinë, po edhe vende të tjera, kështu që kryeministri grek është në të drejtën e vet kur flet në parlamentin e tij, për detet e Greqisë. Ndërkohë, për sa i përket deteve tona, Shqipëria e ka ushtruar në vitin 1990 të drejtën e saj të shtrirjes në ato milje, në bazë të asaj konvente ndërkombëtarë të vitit 1982. Zgjerimi i bërë nga Shqipëria në marsin e 1990-ës është depozituar në Kombet e Bashkuara dhe as është kontestuar, as mund të kontestohet nga Greqia.”

Edi Rama mohoi të ketë diskutuar ndonjëherë me Mitsotakis për çështjen e detit, por nuk e fshehu dëshirën për t’u ulur bashkë me të dhe për ta konkluduar atë. Para se të arrihet kjo, kryeministri tha se duhet bërë një riformatim i grupit negociator shqiptar.

Edhe një herë ai e la “topin” në fushën e presidentit, kur nënvizoi se anëtarët e grupit negociator nuk mund të ndryshohen pa miratimin e tij. Rama u shpreh se mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë e ka amanet dhe nuk shkel dot mbi të.

“Mbajeni vath në vesh dhe as kur ju bie në kokë rakia e pështirë e fuçive politike e mediatike mos e vini kurrë në dyshim, se nuk bën dot vaki që unë të tradhëtoj amanetin e katragjyshërve e stërgjyshërve të mi, nga gjaku familjar apo nga gjaku shpirtëror; as amanetin e Kristaq Ramës së parë, stërgjyshit tim që shkriu pasurinë për hapjen e shkollave shqipe dhe nënshkroi në Durrës pavarësinë e Shqipërisë; as amanetin e Odise Kasnecit, stërgjyshit të Anetës dhe mikut për kokë të Abdyl Frashërit, që ishte anëtar i Lidhjes së Prizrenit dhe u vra si përhapës i gjuhës shqipe nga një komando ekstremistësh grekë të asaj kohe; as amanetin e atij Plakut të Vlorës, që e mbaj mbi kokë çdo ditë në zyrën time, as amanetin e Imzot Nolit, që më mësoi shqipen e gjuhës e të Faik Beut, që më mësoi shpatën e gjuhës dhe as, as, as… me radhë se janë shumë që t’jua numëroj këtu.”

Reagimin Edi Rama e mbylli me një mesazh të fundit për opozitën jashtëparlamentare. Sipas tij, ajo do ta marrë shumë shpejt përgjigjen nga populli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *