Kryeministri Edi Rama ka dhënë një lajm të mirë për njohjen e patentave shqiptare në Gjermani. Në një postim në “Facebook”, Rama bëri me dije se provimi i parë është kaluar me sukses. Sipas tij, në një takim që ka patur me ministrin gjerman të Transporteve, u vlerësua kalimi i shërbimeve online.

 

“Një lajm i mirë për miqtë e kësaj faqeje që presin njohjen e patentave të drejtimit të makinave të tyre në Gjermani. Në Konferencën e Sigurisë në Mynih, bisedova edhe me Ministrin Federal të Transporteve, i cili më tha, citoj, “Misioni ynë teknik në Tiranë është befasuar nga transformimet që keni kryer në Drejtorinë e Transportit Rrugor, përmes digjitalizimit të shërbimeve! Zgjidhjet e reja digjitale që keni realizuar janë origjinale dhe bindëse për t’i përcjellë Qeverisë Federale një opinion pozitiv””

 

Rama kërkoi nga gjithë të interesuarit që të bëjnë pak durim që gjithçka të finalizohet me sukses.

 

“Aprovimi i shumëpritur i njohjes së patentave shqiptare të drejtimit, kalon përmes të 16 parlamenteve të landeve të Republikës Federale të Gjermanisë dhe kjo do të kërkojë pak kohë, por ndërkohë çdo aprovim bën që në landin përkatës njohja të hyjë në fuqi menjëherë. Pak durim tanimë, se provimin e kemi kaluar me sukses dhe ky është një fakt që na inkurajon shumë për vazhdimin e #RevolucionitDigjital2020. Një bravo të madhe ekipit drejtues të DPSHTRR që po e transformon çdo ditë atë strukturë nga një vatër korrupsioni legjendar, në një mekanizëm shtetëror në shërbim të qytetarëve.”

 

Në mars pritet të vijë një ekip nga Ministria e Transporteve të Gjermanisë, për të bërë një raport në funksion të procedurës që do të kryhet nga qeveria federale për njohjen e patentave. Vetëm pak ditë më parë u arrit marrëveshja që patentat shqiptare të njihen edhe në Turqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *