“Tirana, një kryeqytet që nuk fle asnjëherë dhe aspak i zakonshëm”, kështu e nis shkrimin e saj media e njohur greke “Lifo”, e cila i ka kushtuar një shkrim të veçantë kryeqytetit shqiptar.

 

Gazetarja Zoi Parasidi thekson se Tirana është vendi i duhur për një udhëtim tre ditor. Ajo rendit disa nga vendet më tërheqëse, duke veçuar kuzhinën tradicionale shqiptare, baret dhe restorantet më të njohura.

 

Shkrimi i plotë:

 

Tirana, një kryeqytet kaq pranë nesh, por që gjithsesi mbetet i panjohur për ne. Edhe për ata që fundjavën e tyre ia kishin kushtuar kryeqyteteve fqinje të Ballkanit. Tirana është një kryeqytet që nuk fle kurrë, është i gjallë, tërheqës, që nuk të mërzit asnjëherë, kurrë i zakonshëm apo monoton. Këshilla e zakonshme se: është më mirë të humbasësh në rrugicat e një qyteti, se sa të ndjekësh GPS-in, ka vërtet shumë kuptim në Tiranë.

 

“Tirana është pikënisja, ku fillon mundësia/ Aty kam të ardhmen, ku kam ëndrrat e mia/ Ku ngjitur janë kisha e xhamia (Shqipëria dallohet për harmoninë e saj fetare)/ Ku ndahen e pajtohen Nano e Berisha/ Atje ku Lana (ky lumë i vogël, që ndan qytetin  më dysh) qelbet erë/ Dyqanet parfum shesin/ Ku ka intelektualë, po ka dhe katundar/ Tirana në zemrat tona/ E çmendur, jeton orët e vona/ e dehur siç je, por je e jona/ Kjo është Tirona jonë, Tirona kontradiktës/ E luftës, e paqes, e errësirës dhe e dritës/ Mashtrimit, të vërtetës, shpifjes, interesit/ E qejfit dhe e stresit, e ahengut dhe biznesit/ Gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tironë/ Atje ku përdorin makiazh jo vetëm femrat, por edhe godinat”.

 

Që kur u zgjodh kryetar bashkie në vitin 2000, Edi Rama nisi ta pikturojë qytetin. Madje, në këngën e Ëest Side Family, nga e cila është shkëputur pasazhi i mësipërm, ai këndon edhe vetë. Shumë nga gjërat që përmenden në këngën e tyre mund të vizitohen për 3 ditë në qytet.

 

Ku mund të ushqeheni në Tiranë?

 

Në qoftë se doni ushqim të shpejtë, në dorë, siç bëjnë vendasit, kërkoni për ndonjë byrektore. E sigurt që i gjeni në çdo rrugë, në çdo cep të qytetit. Aty do të gjeni byrek me petë shumë të holla, të cilat piqen dhe ripiqen pasi mbushen me kimë, djath, kungull apo me fasule, domate, qepë, por sigurisht edhe me qumësht dhe hithra. Sigurisht, byrekun mund ta shoqëroni edhe me një dhallë.

 

Për të pirë një kafe të mirë nuk ka shumë alternativa, por mund të vizitoni “Antiguana coffee” në rrugën “Perlat Rexhepi” 1001. Atje do të gjeni një ekspres, cheescake dhe tost, ëmbëlsira dhe lëngje frutash të ndryshme. Paçen e bëjnë sigurisht me mish të kuq dhe ajo shoqërohet zakonisht me kos dhe pilaf. Më e njohura është paçja në rrugën “Qemal Stafa”, pak metra nga Pazari i Ri.

 

Pak më tutje gjeni një restorant tradicional, ku mund të shijoni ushqime të llojeve të ndryshme, origjinale dhe tradicionale. Ky Restorant njihet si “Oda” në rrugën “Luigj Gurakuqi”, me tavolina të ulëta dhe pllaka ngjyrë kremi. Muret janë të mbushura me pllaka të vogla të ndërtuara në mënyrë tradicioanle, mjaft mikpritëse për vizitorët. Është e ndarë në dhoma, në një ambient shtëpie, e cila të ndërmend të kaluarën. Këtu do të provoni ushqime me brumra tradicionale, me djath kaçkavalli, të famshmen fërgesë me djath, domate, me copëza piperkash të kuqe djegëse dhe kos, turshi shtëpie dhe qifqi, pra qofte shtëpie. Sigurisht, mund të shijoni edhe qingj të gatuar mirë në zjarr ose në furrë të brendshme, si dhe pite pa petë të holla, një lloj buke tradicionale. Po ashtu mund të pini dhallë, raki shtëpie dhe birrë vendi.

 

Por një drekë të mirë mund ta hani tek “Mullixhiu”, në shëtitoren “Lasgush Poradeci”, në hyrjen e parkut tek diga e Liqenit Artificial. Bledar Kola, shefi i ri, që është ushtruar në një nga restorantet më të njohur të Danimarkës, thotë se me kuzhinën e tij synon të thyejë “diktatin” e kuzhinës franceze. Restoranti i tij të kujton një kabinë druri nga veriu dhe sigurisht, përqëndrohet tek brumrat. Ai e përgatit bukën para syve tanë dhe furnizohet nga ferma të vogla, të cilat çdo prodhim e kanë bio. Ai shërben në mënyrë tradicionale, duke ofruar një shërbim shtëpie si të gjyshes, po sigurisht me një servis më elegant. Verërat kushtojnë nga 25 euro dhe më e shtrenjta shkon në 30 euro. Arsyeja pse ai mban çmime kaq të lira lidhet me qëllimin që i ka vënë biznesit të tij: ai dëshiron të jetë më shumë i njohur se sa i pasur.

 

Shumica e emigrantëve të cilët kanë marrë eksperiencën e tyre në jugun e Italisë, janë kthyer në atdhe duke u bërë pronarë të restoranteve të ndryshëm. Tani eksperiencën e tyre e shijojnë shqiptarët.

 

Një picë të shkëlqyer me brumë të hollë dhe të pjekur siç duhet do ta gjeni në “Apulia Pizzeria & panzerotteria”, në rrugën “Gjik Kuqali”, ndërsa djathërat dhe sanduiçet e ndryshëm, të shoqëruara me verë italiane, do t’i gjeni në rrugën “Myslym Shyri”. Frutat nuk mungojnë. Ato do t’i gjeni nëpër bahçe, në katet e para apo të sipërme. Restorante të tilla janë të shpërndara në të gjithë qytetin.

 

Po për të pirë?

 

Në vitin 2012, për Krishtlindje, në Tiranë u hap një bar ndryshe nga të tjerët. Dy vëllezër, Sofokliu dhe Evi Kali, pasi kishin punuar në pubet e Athinës dhe Selanikut, vendosën të hapin një bar. Ata u përqendruan në kokteje dhe një shërbim perfekt, duke i përgatitur me fruta të freskëta dhe shurupe të ndryshme. Negroni i tyre ka një sekret që ata nuk e tregojnë kurrë.

 

“Nouvelle Vague”, në rrugën “Pjeter Bogdani”, është një nga koktej-baret e njohura të qytetit. Një nga pijet e tyre më të njohura është “Nu fashion” me uiski, ëmbëlsirë, xhinxher, bitters. Në muret e tyre do të gjeni postera të DJ-ve të ndryshëm. Sigurisht, në klubin e tyre ata ftojnë DJ të ndryshëm dhe shumë të famshëm si Baba Au Rum dhe The Clumsies. Gjithashtu, atje gjendet dhe Christos Golfis nga Theosis deri te Syros dhe Dionysis Polatos nga “Ipitou the Bar” deri te Dream Kong i Romës dhe Rasputin i Firences. Nga ky bar i famshëm ka kaluar dhe Jad Ballout e Electric Bing Sutt dhe Dead End Paradise of Beirut. Nga bokset e tyre del një muzikë xhaz funk, me një tingull të mahnitshëm dhe të rrallë.

 

“Kur e hapëm për herë të parë, rruga para nesh ishte plot gropa dhe me kthesa. Qëllimi ynë ishte të sillnim të gjithë njerëzit që të komunikonin me njëri-tjetrin dhe ky kënd të njihej si “Këndi i Nouvelle”. Sigurisht, zona është mbushur me dyqane shumë të njohur, pra është diçka që ngjan si Psyrri”, thotë Sofokliu për ish Bllokun, një vend i izoluar në kohën e diktaturës, që tani është bërë një vend dëfrimi për të rinjtë. Një nga vendet që ka hapur Sofokli Kali është Tuneli te “Pallati i Kulturës”, Sheshi Skënderbej, Kati II, që funksionon në tarracën e Institutit Italian të Kulturës. Në qoftë se e vizitoni Tiranën, nuk duhet t’i humbisni këto vende kaq të veçanta dhe argëtuese.

 

Një tjetër pub ku mund të pish është Hemingëay në rrugën “Kont Urani”. Pronarin e saj, Rudin, e gjen gjithmonë mbas barit, që flet gjithë pasion dhe të shpjegon me orë të tëra për larminë e pijeve.

 

Baret e tjera që ia vlen t’i vizitoni janë të gjitha në zonën që quhet ish “Blloku”. Një ndër to është bar “Kino”, në rrugën Pjeter Bogdani, Vila 37 me dy oborre. Ambienti i brendshëm i tij të kujton stilin Broadëay. Aty ndërrohet shpesh ndriçimi, për të kujtuar se është një mjedis kinematografik. Një nga baret më interesante dhe me pamje retro është “Radio bar”, në rrugën “Ismail Qemali”, P. 29 Ap. 1. Ai është i arreduar me radio të vjetra, televizorë të vjetër, kamera, gramafonë, makina qepëse dhe afisha nga kinematografia e dikurshme. Shquhet bahçja e fshehur e tij, nga sheshi qendror deri te parku qendror i madh i qytetit.

 

Sheshi qendror quhet “Skënderbej” dhe ka një sipërfaqe rreth dyzet mijë metra katrorë. Është një nga zonat më të mëdha pedonale, pa makina, në Tiranë, ndoshta edhe në gjithë Ballkanin. Në këtë shesh, i cili ka marr disa çmime ndërkombëtare, do të gjeni bustin kryesor të Gjergj Kastriot Skënderbeut, nga i cili Sheshi ka marrë emrin. Ngjitur me të do të gjeni dhe Kullën e Sahatit, 35 metra të lartë, godinën e Operas dhe Baletit ngjitur me të, dhe sigurisht Pallatin e Kulturës, Muzeun Kombëtar dhe Bibliotekën Kombëtare, të cilat ndodhen po në atë shesh. Aty është edhe Xhamia, e cila është ndërtuar në 1794. Më pas mund të shkoni në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku do të dalloni pallate të ulta shumëngjyrësh të stilit italian, e mandej Akademinë e Arteve.

 

Parku i madh i qytetit u ndërtua rreth viteve ’50 dhe është një park i cili vizitohet shumë shpesh nga banorët e Tiranës. Në të do të gjeni Liqenin Artificial dhe rreth tij ka mbi 120 lloje pemësh. Aty mund të shëtisni, por mund të gjeni edhe restorantin “Mullixhiu”, që ndodhet ngjitur me të.

 

Një galeri e fshehur me kujdes është qendra e artit bashkëkohor ZETA, e themeluar në vitin 2007 nga Valentina Koça. Ajo gjendet në katin e dytë të një qendre biznesi në rrugën “Abdyl Frashëri” dhe është pothuajse në qendër të Tiranës, ku zhvillohen aktivitete të ndryshme kontemporane të pikturës, skulpturës, fotografisë dhe të artit bashkëkohor. Në këtë sallë ekspozohen të rinj, artistë të famshëm dhe ia vlen ta vizitoni.

 

Në Tiranë mund të udhëtoni edhe vetëm me letërnjoftim apo me pasaportë. Vendosini të dyja në portofol, duke marrë edhe disa para me vete.

Taksia nga aeroporti deri në qendër kushton rreth 16 euro.

Në qoftë se keni ndërmend të dëfreheni në qendër të qytetit, kërkoni dhoma në zonën e Bllokut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *