Subscribe

Zuzana Caputova është gruaja e parë që zgjidhet presidente në Sllovaki. Caputova doli fituese në zgjedhjet presidenciale me 58.3 përqind, ndërsa rivali i saj komisioneri evropian, Maros Sefcovic, mori 41.7 për qind.

 

Në Sllovakinë me 5.4 milionë banorë, zgjedhja e saj shihet si një refuzim i  klasës tradicionale politike. Korrupsioni dhe ndryshimi kanë qenë temat kryesore të  Caputoves, e cila ka bërë fushatë që t’i jepet fund, asaj që ajo e ka quajtur “kapje e shtetit”.

 

Presidentja e re e Sllovakisë është avokate dhe aktiviste e të drejtave të homoseksualëve dhe kundërshton ndalimin e abortit.

 

Ndërkohë këtë të diel mbahet raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale edhe në Ukrainë, ku garojnë 39 kandidatë. Por emrat më të favorshëm sipas sondazheve konsiderohen presidenti aktual Petro Poroshenko,  ish-kryeministrja Julia Tymoshenko dhe  komediani Volodimyr Zelensk.

 

Sipas mediave ndërkombëtare asnjë nga emrat pro-rusë nuk po vlerësohet si kandidat që mund t’i fitojë këto zgjedhje.

 

Edhe Turqia i drejtohet këtë të diele kutive të votimit për zgjedhjet lokale, Në zgjedhjet e sotme, votojnë rreth 57 milionë qytetarë turq. Në këto zgjedhje garojnë 12 forca politike, por beteja kryesore zhvillohet mes Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim e presidentit Rexhep Taip Erdogan, partisë kryesore opozitare Popullore Republikane   dhe partisë prokurde e quajtur Partia Demokratike e Popujve.

 

Këto zgjedhje pritet të jenë një sfidë e madhe për partinë në pushtet të Presidentit Erdogan. Sipas mediave, Erdogan, i cili ka dominuar politikën turke për më shumë se 16 vjet, në sondazhe parashikohet se mund të humbë kontrollin e kryeqytetit Ankarasë dhe madje edhe Stambollit, qytetit më të madh të vendit.

 

Partia kryesore opozitare shikon për herë të parë mundësinë për të marrë pushtetin në qytetet më të rëndësishme të Turqisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *