Për rreth dy javë, Ekipi Menaxhues do ta prezantojë draft-statutin për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Kjo do të ndodhë në kuadër të dialogut politik për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit, i cili udhëhiqet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Paralajmërimi u dha nga kryenegociatorët e dy vendeve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, pas takimit të tyre në Bruksel, më 4 prill.

Megjithatë, ende nuk dihet saktësisht se kush e përbën Ekipin Menaxhues, pra kush e ka shkruar statutin për formimin e Asociacionit.

Me gjithë përpjekjet e bëra, Radio Evropa e Lirë nuk arriti t’i marrë nga Qeveria e Kosovës emrat konkretë të personave që përbëjnë këtë ekip.

Bislimi tha më 5 prill për median e Kosovës, Kallxo, se Ekipi Menaxhues përbëhet nga katër persona të komunitetit serb.

“Danijella Vujiçiç është në krye. Dy persona nga ekipi janë të njëjtë, ndërsa dy anëtarë kanë ndryshuar vazhdimisht”, tha ai.

REL-i pyeti Qeverinë e Kosovës nëse anëtarët kanë ndryshuar, por nuk mori përgjigje.

Danijella Vujiçiq është deputete e Kuvendit të Serbisë nga Partia Përparimtare Serbe, e cila ka pushtetin aje. Ajo vjen nga Mitrovica e Veriut – një nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

“Mandati i Ekipit Menaxhues përfundon në momentin kur ai prezanton draftin [e statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe]”, tha Bislimi.

Në vitin 2018, Ekipi Menaxhues hartoi një statut dhe e dorëzoi atë në Bruksel. Por, ai statut nuk u diskutua kurrë, me dijeninë e publikut.

REL-i iu drejtua edhe Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë me pyetjet se kush e përbën aktualisht Ekipin Menaxhues, a do të prezantohet draft-statuti i vitit 2018 apo është përgatitur një i ri, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Se ka paqartësi rreth prezantimit të draft-statutit, e konfirmoi edhe Bislimi, më 4 prill, në Bruksel.

Çfarë dihet për Ekipin Menaxhues?

Pasi Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje në vitin 2013 për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe dy vjet më vonë ranë dakord për parimet e formimit të tij, Ministria e Administrimit të Vetëqeverisjes Lokale e Qeverisë së Kosovës emëroi Ekipin Menaxhues në vitin 2016.

Në atë kohë, në krye të kësaj ministrie ishte Lubomir Mariq nga radhët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit. Sot, ai është deputet i Kuvendit të Serbisë nga Partia Përparimtare Serbe.

Mariq, i cili ishte koordinator i Ekipit Menaxhues, caktoi katër persona për të shkruar statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe: Igor Kallamar, Dejan Radojkoviq, Vinko Radosavleviq dhe Svetisllav Durlleviq.

Kallamar dhe Radojkoviq janë nga Mitrovica e Veriut, ndërsa Radosavleviq dhe Durlleviq janë nga komunat në jug të Lumit Ibër.

Aktualisht, nuk dihet nëse Ekipi Menaxhues ka hartuar një statut të ri.

Në fund të janarit, organizata joqeveritare gjermane, Friedrich-Ebert-Stiftung, përgatiti dhe prezantoi draft-statutin e saj për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Siç u tha në atë kohë, statuti u hartua me iniciativë të vetë organizatës dhe pas shumë vitesh mosmarrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për këtë çështje.

Ky dokument ka shtatë kapituj dhe 18 nene që përcaktojnë strukturën organizative të Asociacionit, marrëdhëniet me autoritetet qendrore, rregulloret ligjore, buxhetin e të tjera.

Si qëllime të formimit të Asociacionit përmenden: forcimi i demokracisë lokale, zhvillimi i ekonomisë lokale, mbikëqyrja në fushën e arsimit, shëndetësisë parësore dhe sekondare e të tjera.

Për këtë veprim të organizatës gjermane reagoi ashpër drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili tha se “askush nga Ekipi Menaxhues nuk i ka kërkuar shërbimet e organizatës Friedrich-Ebert-Stiftung”.

“Ajo punë i është besuar ekskluzivisht Ekipit Menaxhues. Në përputhje me mandatin e besuar, Ekipi Menaxhues e përfundoi hartimin e draft-statutit gati 5 vjet më parë, më saktësisht në gusht të vitit 2018, dhe e njoftoi zyrtarisht BE-në për këtë”, tha Petkoviq.

Çfarë parashohin marrëveshjet e Brukselit?

Në Marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të vitit 2013, thuhet vetëm se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të themelohet në bazë të statutit, por, më pas, plani i zbatimit përcaktoi se palët duhet të formojnë një ekip menaxhues, që do të shkruajë statutin.

“Ekipi Menaxhues do të përbëhet nga përfaqësues të katër komunave nga veriu, dhe do të themelohet pas konfirmimit nga organi kompetent i Kosovës. Komisioni zbatues do të mbikëqyrë punën e Ekipit Menaxhues”, thuhet mes tjerash në planin e zbatimit.

Më pas, në kuadër të dialogut, u ra dakord për “fushëveprimin dhe mandatin e Ekipit Menaxhues” për themelimin e Asociacionit, i cili duhet të përbëhet nga përfaqësues të secilës prej katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Në të njëjtin dokument saktësohet se Ekipi Menaxhues është përgjegjës për hartimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili do të përcaktojë strukturën organizative, qëllimet, proceset vendimmarrëse dhe kompetencat e tij.

Në Kosovë me vite është kontestuar çështja e kompetencave të Asociacionit, pra nëse do të ketë kompetenca ekzekutive ose jo.

Në Marrëveshjen e vitit 2015, e cila përcaktoi parimet për formimin e Asociacionit, nuk përmendet konkretisht Ekipi Menaxhues, por thuhet se statuti do të miratohet nga një mekanizëm që do të përbëhet nga anëtarët e zgjedhur të kuvendeve të komunave anëtare.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të përbëhet nga dhjetë komuna me shumicë serbe në Kosovë: Graçanica, Shtërpca, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi, Novobërda në jug të Ibrit dhe Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku në veri.

Si qëllime të formimit të Asociacionit përmenden: mbikëqyrja e plotë e zhvillimit të ekonomisë lokale, mbikëqyrja e plotë në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, mbikëqyrja e plotë e koordinimit të planifikimit urban dhe rural e të tjera./REL/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *