Subscribe

Ndërsa mbeten vetëm dy ditë nga inaugurimi i presidentit të 46-të amerikan, në kryeqytet kanë zbarkuar trupa shtesë të gardës kombëtare. FBI dhe agjenci të tjera federale kanë dhënë alarmin se mund të ketë përpjekje për të sabotuar apo ndërprerë ceremoninë, që nga ardhja e protestuesve të armatosur, e deri tek vendosja e lëndëve plasëse.

Ndërkohë, grupe të vogla protestuesish, disa prej tyre të armatosur, u mblodhën pranë zyrave qeveritare në Shtetet e Bashkuara, ku tensionet mbeten të larta pas trazirave të 6 janarit në Kongres. Protesta paqësore në mbështetje të presidentit në largim, Donald Trump, u mbajtën edhe në Teksas, Oregon, Miçigan, apo Ohajo.

Sekretari i Ushtrisë, Ryan McCarthy, bëri të ditur se të gjithë anëtarët e Gardës po verifikoheshin, nga frika e kërcënimit të brendshëm, duke shprehur kështu nivelin e lartë të shqetësimit për trazira të mundshme.

Qendra e Uashingtonit duket kryesisht bosh, ndërsa mijëra ushtarë të Gardës Kombëtare ngritën pika kontrolli në të gjithë qytetin dhe vendosën automjete të mëdha ushtarake për të bllokuar hyrjet në disa rrugë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *