Në Maqedoninë e Veriut kanë nisur procedurat për zgjedhjen e qeverisë së re pasi parlamenti miratoi dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev.
Qeveria e tij tashmë cilësohet teknike dhe do të qëndrojë në detyrë deri në konfirmimin e shumicës së re.
TALAT XHAFERI
KRYETAR I PARLAMENTIT, MAQEDONIA E VERIUT
“Ajo qeveri së cilës i mbaron mandati pas dorëheqjes së kryeministrit, sipas nenit 93 të kushtetutës, është e detyruar të vazhdojë teknikisht ushtrimin e detyrës, deri në zgjedhjen e qeverisë së re.”
Në letrën e dorëheqjes Zoran Zaev shkruan se e mori vendimin si hap të logjikshëm dhe reflektim pas rezultatit të zgjedhjeve lokale, ku social-demokratët humbën thellë.
Presidenti Stevo Pendarovski duhet që brenda një afati prej dhjetë ditësh t’ia dorëzojë mandatin një përfaqësuesi politik që garanton shumicën e nevojshme prej 61 deputetësh në parlament.
Pritshmëritë janë për kryetarin e ri të social-demokratëve, Dimitar Kovaçevski i cili do të ketë një afat prej 20 ditësh për të dorëzuar në parlament programin dhe emrat e kandidatëve për kabinetin qeveritar.
Shumicës së re parlamentare, ku bëjnë pjesë Lidhja Social Demokrate me partnerët e saj më të vegjël dhe Bashkimi Demokratik për Integrim e Partia Demokratike Shqiptare, i bashkohet edhe partia Alternativa me katër deputetët e saj, duke garantuar në total 64 ligjvënës.