Subscribe

Negociatat e para të socialistëve me dy grupet parlamentare të opozitës, të Fatmir Mediut dhe Mesila Dodës, dëshmuan se për në raundin e parë të votimit për presidentin e ri të mos ketë asnjë emër.

 

Tre ditë nga përfundimi i afatit të dorëzimit të kandidatëve, dakordësia mes mazhorancës qeverisëse dhe një pjesë të opozitës është nisur për diskutimet për kandidatët e mundshëm për president.

 

TAULANT BALLA

 

KRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR PS

 

Të paktën me dy prej tre grupeve kemi arritur të vendosim piketa dhe shina që unë besoj mund të na çojë dhe do të na çojë te një president sa më konsensual. Vazhdoj të shpresoj që nga ana e grupit parlamentar të PD të ketë një vendimarrje për të ardhur edhe ata në tryezën e diskutimeve.

 

Në këtë proces, Fatmir Mediu tha se grupi i tij parlamentar “Aleanca për Ndryshim” nuk do të propozojë asnjë emër, nëse ai nuk përfaqëson të gjithë opozitën, duke iu referuar edhe Komisionit të Rithemelimit të Sali Berishës, për të cilin Partia Socialiste ka vendosur embargo.

 

FATMIR MEDIU

KRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR “ALEANCA PER NDRYSHIM”

Ne kemi vendosur që propozimet do t’i bëjmë brenda opozitës. Pra në qoftë se do të ketë një vendimarrje të tillë. Jashtë opozitës nuk do të marrim asnjë lloj vendimi. Po iu them deputetët e opozitës nuk i ndaj as në të rithemelimit, as ku e di unë se çfarë emri i veni ju. Të gjithë deputetët e opozitës që sipas kushtetutës janë të detyruar të jenë pjesë e këtij procesi duhet patjetër të jenë me një qëndrim dhe kandidaturë të përbashkët.

 

Pas refuzimit për t’u takuar, Enkelejd Alibeaj pret nga Taulant Balla qëndrimin e tij për kriteret e propozuara nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, pasi ua komunikoi zyrtarisht edhe dy grupeve të tjera parlamentare të opozitës.

 

Nga gjashtë kriteret, ku më të rëndësishmin thekson të jetë antikomunist, Enkelejd Alibeaj bën një hap pas në kushtin që në pesë vitet e fundit të mos jetë me patjetër i angazhuar politikisht. Ky ndryshim përkon edhe me kërkesën e grupit parlamentar “Për Demokraci dhe Integrim” të Mesila Dodës, për një president thellësisht nga politika.

 

ENKELEJD ALIBEAJ

KRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR, PD

Presim reagimin e tyre. Pranojnë apo jo. Ne nuk jemi për të pasur procese në dhoma të errëta. –(Në sfond dëgjohet një qytetar që thërret, Zoti e bekoftë Yuri Kim. Reagon Alibeaj:) Për këtë arsye duhet t’ia shërbejmë shqiptarëve, zëri i popullit duhet dëgjur.

 

Pasditja e së dielës është lënë nga konferenca e kryetarëve si afati i fundit i dorëzimit të emrave, kandidatëve për president. Por edhe përtej këtij afati nëse mazhoranca qeverisëse dhe opozita dakordësojnë një emër, ai depozitohet, mjafton që Komisioni i Ligjeve që jep miratimin për përmbushjen e kritereve për të kandiduar për president të mos jetë mbledhur. Pra nëse deri në orën 10 të së hënës nuk do të ketë asnjë propozim dhe gjasa kjo është, që votimi i parë në parlament në pasditen e 16 majit, për kreun e ri të shtetit të mbyllet pa rezultat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *