Ish-presidenti Bujar Nishani e konsideron vendimin e Lulzim Bashës për të përjashtuar nga grupi parlamentar Sali Berishën, një “thikë pas shpine ndaj PD dhe Shqipërisë”.

 

Sipas tij, kryedemokrati po e mban peng pushtetin dhe procesin vendimarrës mbi Partinë Demokratike “për t’i shërbyer projektit antishqiptar të asgjesimit të alternativës qeverisëse”.

 

Reagimi i plotë:

Thikat pas shpine ndaj Partisë Demokratike janë në të vërtetë, thika në zemër për Shqipërinë!

Misioni që i është ngarkuar L. Bashës prej pushtetit më të korruptuar e të inkriminuar në Shqipërinë e 30 viteve të fundit, është projekti më kriminal anti PD e anti demokratik që prej atij të tentuar në 1997!

PD është një prej institucioneve kryesore të shoqërisë shqiptare, është një mekanizëm i domosdoshëm që sistemi politik të funksionojë normalisht, është mundësia për të patur alternativën e një modeli tjetër qeverisës.

Të kapësh e të mbash peng, përmes metodave gangsterriste, pushtetin dhe proçesin vendimarrës mbi Partinë Demokratike, për ti shërbyer projektit antishqiptar të asgjesimit të alternativës qeverisëse, është po aq kriminale sa korrupsioni, kriminaliteti, shkatërrimi i institucioneve, varfërimi i shqiptarëve, prej qeverisjes.

Asgjesimi i PD është asgjesimi i opozitës sot, është asgjesimi i alternativës së qeverisjes ndryshe nesër, është minimi i demokracisë, është thikë në zemër për Shqipërinë !

Tezat e Edi Ramës se L. Bashën e detyruan SHBA për ta përjashtuar Sali Berishën nga PD dhe se ai nuk kishte rrugë tjetër, janë teza krejtësisht spekulative dhe fasada majtiste për të mbuluar projektin e asgjesimit të PD.

  1. Basha ka patur ultimatume të forta nga SHBA për të mos djegur mandatet e mos braktisur Parlamentin !
  2. Basha ka marrë kërkesa të forta e të qarta nga SHBA për të mos bojkotuar zgjedhjet dhe pushtetin lokal !
  3. Basha as i mori në konsideratë ato kërkesa e ultimatume të SHBA dhe i injoroi ato plotësisht.

Megjithëse ato ishin vendime e akte që minonin rëndë demokracinë në këtë vend, L. Basha i shpërfilli kërkesat amerikane në ato raste sepse i duhej të plotësonte interesat politike të Edi Ramës që ky të kapte e kontrollonte çdo qelizë e pushtet absolut të sistemit politik në Shqipëri !

Projekti antishqiptar i dyshes Rama-Basha, për asgjesimin e PD është sfida më e madhe për shoqërinë sot, është beteja më e madhe politike për ti shërbyer të nesërmes së Shqipërisë !

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *