Subscribe

Në të gjitha pikat e kalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur zbatimi i pikës së dytë të marrëveshjes së arritur në Bruksel javën e kaluar. Nga dita e sotme nuk do të ndërrohen targat, por do të mbulohen simbolet shtetërore me letër ngjitëse.

 

 

Por partitë opozitare gjatë debatit parlamentar kritikuan ashpër qeverinë, duke thënë se hoqi dorë nga sovraniteti në veriun e vendit.

 

ABELARD TAHIRI

DEPUTET PDK

“Ky është hapi i parë që kemi filluar me implementimin e “Zajednicës” (Asociacioni i komunave me shumicë serbe), me kompetenca ekzekutive, ky është dëmi më i madh që i keni bërë Republikës së Kosovës, për dy dekada nuk ka pasur marrëveshje më të dëmshme se sa kjo që sot e kemi”.

 

Ndërsa deputetët nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, u shprehën se qeveria është kthyer 10 vjet mbrapa duke pranuar që Serbia të lëshojë dokumente për Kosovën.

 

ARBEN GASHI

DEPUTET, LDK

“Sot qeveria e Serbisë lëshon zyrtarisht, të pranuara nga qeveria e Kosovës, targa për territorin e Kosovës. Çka është kjo? A është “Zajednica”? Këtu ka nevojë të sqarohet çka është kjo, çka keni pranuar ju, pra keni zyrtarizuar institucionet kriminale dhe paralele të Serbisë në Kosovë.”

 

Kryenegociatori Besnik Bislimi i kundërshtoi akuzat duke thënë se opozita kërkon të bëjë shou në parlament.

 

BESNIK BISLIMI

KRYENEGOCIATOR

“Unë pajtohem që ju reciprocitetin e shihni si ‘shoë’. Po të mos kishte qenë ‘shoë’ do ta kishit bërë edhe më herët, por ju thellë në vete besoni që Kosova nuk është dhe nuk duhet të ndihet e barabartë në raport me Serbinë.”

 

Pika e tretë e marrëveshjes së arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian më 30 shtator, parashikon që më 21 tetor të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme.

 

Nis zbatimi i marrëveshjes, opozita akuzon Kurtin: Po bëni shfaqje me reciprocitetin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *