Njëzet e nëntë vende europiane kanë filluar këtë të dielë të zbatojnë sistemin e ri kufitar që u kërkon udhëtarëve joeuropianë të regjistrojnë të dhënat biometrike përpara hyrjes në zonën Shengen.
Sistemi i ri kërkon informacionin biometrik, përfshirë fotografimin e fytyrës për secilin pasagjer dhe skanimin e shenjave të gishtërinjve në udhëtimin e tyre të parë në vendet e BE-së.
Ai pritet të vlejë për gati 60 vende, përfshirë Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Kur procedura të jetë kryer njëherë, udhëtimet e ardhshme për në këto vende do të jenë më të lehtësuara për shkak të ruajtjes së të dhënave.
Sistemi i automatizuar i Hyrje/Daljes do të futet gradualisht gjatë gjashtë muajve të ardhshëm dhe do të zëvendësojë plotësisht vulat tradicionale të pasaportave.
Vendet më të mëdha evropiane, si Franca dhe Gjermania, fillimisht do të kryejnë vetëm një numër të vogël kontrollesh për të shmangur radhët e mëdha në aeroporte.
Disa vende më të vogla, si Estonia dhe Luksemburgu, do ta zbatojnë plotësisht sistemin që nga fillimi.
Sistemi po futet në përdorim për ta bërë kalimin e kufirit më të shpejtë dhe më efikas, ndërkohë që gjurmon edhe se kush hyn dhe del. BE-ja thotë se do të japë gjithashtu informacion që do të përdoret për qëllime sigurie.
Nëse dikush do të refuzojë të kryejë procedurën e re, nuk do të lejohet të kalojë përtej kufirit.
/vizionplus.tv




