Pas Laçit, nis shembja e godinave të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit edhe nw Shijak.
Kryeministri Edi Rama ishte atje, konkretisht në lagjen “Lugina” për të ndjekur nga afër rrëzimin e 18 pallateve, të shpallura nga ekspertët e Institutit i Rindërtimit si të pabanueshem.
Shembja e objekteve si ato banimi, arsimore apo për shërbime të komunitetit do të shtrihet në dhjetë zona të Shijakut, të planifikuara për t’u ndërtuar nga e para.
Ndryshe nga Laçi i cili do të zhvillohet përtej vendndodhjes së objekteve të dëmtuara nga tërmeti, me krijimin e lagjeve të reja. Shijaku paraqet një tjetër dinamikë. Aty ku do të shembet, aty do të ndërtohet. Plani përfshin edhe krijimin e më shumë hapësirave të gjelbërta, parqeve për fëmijë dhe një infrastrukturë të re rrugore.
Angazhimi është që Shijaku të shndërrohet në një pikë-ndalese për turistët.
Më herët, ekipi i cili është angazhuar në përgatitjen e plane të rindërtimit në zonat e dëmtuar nga goditja sizmike e Nëntorit kanë prezantuar edhe projektet zhvillimore në Krujë ku javën e ardhshme pritet të nisin shembjet dhe në Laç që tashmë janë rrëzuar një pjesë e objekteve.