Prej kësaj të marte, Njësia Operacionale ka nisur kontrollet për zbatimin e detyrave të përcaktuara në planin operacional, të cilat konsistojnë në monitorimin e zbatimit të rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e mjeteve.

Orët e fundit, Policia Rrugore ka vendosur 138 masa për parakalime të gabuara, të konstatuara gjatë lëvizjes me mjete të pauniformuara dhe nga efektivë civilë të Policisë Rrugore.

Janë konstatuar me radar 34 drejtues mjetesh që qarkullonin në Rrugën e Kombit dhe në aksin Thumanë-Milot–Lezhë, me shpejtësi mbi normat e  lejuara, të cilët janë dërguar për shqyrtim të mëtejshëm në Organin Administrativ Shtetëror.

Gjithashtu janë vendosur 78 gjoba për mospërdorimin e rripit të sigurimit, 89 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit, si dhe 23 persona janë ndëshkuar për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse.

Plani operacional do të vijojë përgjatë gjithë muajit mars, në të gjithë vendin, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë në rrugët me risk për ngjarje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *