Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti Ministrin e Arabisë Saudite për Çështjet Islame, Dr. Abdullatif bin Abdulaziz bin Abdulrrahman al Shaikh. Ministri i përcolli Kryetares së Kuvendit përshëndetjet e përzemërta të Mbretit Selman dhe Princit të Kurorës Muhamed bin Selman dhe urimet e tyre për suksese në detyrën e lartë të Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë.

Gjatë takimit u diskutua mbi zgjerimin e marrëdhënieve shumë të mira midis të dy vendeve dhe u shpreh vullneti i të dy palëve për t’i avancuar ato, veçanërisht në fushën e ekonomisë, investimeve, shkëmbimeve tregtare, turizmit dhe në të gjitha fushat e përfitimit të ndërsjelltë të qytetarëve e vendeve tona.

“Shqipëria është një vend që dallohet për bashkëjetesën dhe harmoninë midis komuniteteve fetare. Mozaiku fetar i Shqipërisë është një pasuri dhe jo një problem për vendin, si edhe një model tolerance për të gjitha vendet. Komuniteti mysliman i Shqipërisë një komunitet progresist dhe tolerant, kontribues për zhvillimin dhe demokracinë e Shqipërisë.”, vuri në dukje Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

Nikolla shprehu mirënjohjen për ndihmën humanitare që Arabia Saudite i ka dhënë Shqipërisë ndër vite, sidomos për përballimin e pasojave të tërmetit dhe pandemisë.

Kryetarja e Kuvendit shprehu gjithashtu mirënjohjen për njohjen e Kosovës nga Arabia Saudite si dhe për mbështetjen e dhënë gjatë kërkesave për mbështetje për anëtarësim të Kosovës në UNESCO dhe INTERPOL, dhe shprehu bindjen në vazhdimin e lobimit në Organizatën e Bashkëpunimit Islam dhe në Ligën Arabe, me vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, dhe Ministri al Shaikh biseduan edhe mbi bashkëpunimin e të dy vendeve tona në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published.