Kryeministri Edi Rama nënvizoi këtë të enjte nga foltorja e Kuvendit se vija e kuqe mes shtetit dhe krimit është më e konsoliduar krahasuar më parë, ndërsa shtoi se qeveria e tij është fytyra e Anti-KÇK-së.

 

Rama shprehet se nuk është aspak i befasuar nga gjithë përkrahja që ka gjetur elita e krimit të organizuar. Ndërkohë, shënjestroi presidentin Ilir Meta dhe opozitën për mbështetjen që iu kanë ofruar, sipas tij, kriminelëve.

 

“Sapo ne e kemi shpallur betejën më të skajshme kundër kësaj mortje, që e ka tollovitur Shqipërinë 3 dekada me radhë, që e ka tollovitur jetën publike 3 dekada me radhë që falë të gjithë horrave e hipokritëve me kostum që kanë pasur një mikrofon në dorë, e kanë bërë horr Shqipërinë edhe në sytë e shumë njerëzve, që shqiptarë nuk janë, por që e ndjekin vendin tonë, shkruajnë e hedhin helm për vendin tonë. Nga mediat te i ashtuquajturi President, nga opozitat këtu pak çaste para meje te ato në rrugë, deri te Avokati i Popullit, për t’i çarë hallin këtyre të shkretëve, që kanë vrarë, përdhunuar, trafikuar, grabitur pronat, sa kanë mundur, që kanë shantazhuar, sa nuk merret as me mend njerëzit dhe sipërmarrësit e këtij vendi dhe që tani medemek po dhunohen. Po dhunohen në të drejtat e tyre njerëzore. PO turp nuk ju vjen fare! Gjithë këtyre njerëzve, që kanë një mikrofon, kanë mundësinë të thonë një fjalë, dhe janë bërë karvanë qorrash për të bërë pelegrinazhin në drejtim të qelive ku janë kyçur ata, duke çuar mesazhin se ‘ne jemi me ju. Ju ca prisni? Ngrihuni, bashkohuni dhe bëni atë që duhet bërë, mundësisht na hiqni qafe fiziksisht.”

 

Rama, theksoi gjithashtu se deri kur qeveria shpalli luftën me krimin që kishte marrë përmasa të mëdha, këta “viktima të shkeljes së të drejtave të njeriut, ishin djalli vetë nën sqetullën tonë, mbi prehrin tone”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *