Kampionati më i bukur dhe më i dashuri për tifozët shqiptarë, “Serie A”, ndez motorët këtë të shtunë me spektakel dhe emocione të garantuara. Ekrani i “Tring” do të mbajë mbërthyer të gjithë shqiptarët me transmetimin ekskluziv të të gjitha ndeshjeve, veçanërisht me skuadrat e preferuara si Milan, Inter apo Juventus. Edhe këtë sezon rivaliteti, konkurenca apo lufta për titull pritet te jetë e fortë.

 

Favoriti kryesor në letër për të rrëzuar Interin nga froni është Juventus. Rikthimi në krye të pankinës i teknikut Masimiliano Alegri, njeri i trofeve, ka shtuar entuziazmin tek “Bardhezinjtë”. Ndonëse merkato ka qenë jo e denjë për një ekip si Juventus, qenia në skuadër e Cristiano Ronaldos dhe organika ndjeshëm më cilësore në raport me ekipet e tjera e bëjnë, “Zonjën e Vjetër” skuadrën për t’u mundur. Të gjithë në fakt duhet të ndiqnin Interin, por “Zikaltrit” janë dobësuar ndjeshëm me ikjen trajnerit Conte dhe dy yjeve Lukaku dhe Hakimi, protagonist të mëdhenj të titullit të fundit.

 

Afrimet e Hakan Calhanoglu, Edin Xheko dhe holandezit Dumfrajs vështirë se mund të zëvëndësojnë largimet. Milani i këtij sezoni niset mes pikëpyetjeve nëse do të jetë apo jo skuadra e edicionit të kaluar që e mbylli në vendin e dytë. Me siguri nëse nuk do të kishte qenë për largimet e mëdha të Donarumes dhe Calhanolu, dyshimet s’do ishin të tilla ndonëse drejtuesit me blerjen e portierit Manjan, veteranëve Zhiru e Florenci apo konfirmimin e Tomorrit, e ndonjë ardhje të mundshme në ditët e fundit, shpresojnë të kenë të gatshme një skuadër kompetitive që të paktën zonën Champions nuk duhet ta diskutojë.

 

Atalanta e Gasperinit, ka ndryshuar pak, për të mos thënë aspak, kështu që mbetet skuadra për t’u pasur frikë nga të mëdhatë. Ka shumë kuriozitet për dy ekipet kryeqytetase Roma dhe Lazio, me trajnerët e rinj të tyre por të njohur si Murinjo dhe Sarri.

 

Dy skuadra që kanë interesin e publikut shqiptar për shkak se kanë shqiptare në gjirin e tyre si Kumbulla, Strakosha, Hysaj apo edhe Igli Tare. Përkundër gjithçkaje, me siguri edhe me rikthimin e tifozëve në stadium, ky edicion do të jetë shumë më i fortë, një shtysë më shumë për të qëndruar të mbërthyer pas ekranit të plaformës “Tring” për t’i ndjekur të gjitha ndeshjet fundjavave, pa lënë mënjanë edhe emisione me analizat para dhe pas ndeshjeve.

 

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.