Të mërkurën nga Qendra Hapësinore Kennedy e NASA-s do të niset drejt orbitës së Tokës ekuipazhi i parë civil në botë, në përbërje të të cilit janë katër persona. Ky zhvillim shënon hapin e parë të madh të turizmit hapësinor deri më tani.

 

Kushtet e motit janë 70 për qind të favorshme për nisjen e planifikuar të katër amerikanëve, Jared Isaacman, Hayley Arceneaux, Chris Sembroski dhe Sian Proctor. Ata do të nisen nga e njëjta platformë (Pad 39A) e stacionit të hapësirës që u përdor për misionet historike në Hënë të misioneve Apollo, gjatë viteve 1960 dhe ‘70.

 

Ekuipazhi do të fluturojë në bordin e anijes hapsinore “Crew Dragon” të ndërtuar nga SpaceX, kompania private, e cila ka nisur dërgimin e astronautëve në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Anija hapësinore, plotësisht e automatizuar, do ta ngjisë ekuipazhin në një lartësi prej 575 kilometrash mbi sipërfaqen e Tokës, pak më lart sesa pozicioni aktual i Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës, si dhe i teleskopit Hubble.

 

SpaceX njoftoi se katër turistët hapësinorë “do të kryejnë kërkime shkencore të projektuara për të avancuar shëndetin e njeriut në Tokë”, përpara se të rikthehen pas tre ditësh.

 

Misioni, i quajtur “Inspiration 4”, do të udhëhiqet nga 38-vjeçari Isaacman, një sipërmarrës miliarder në fushën e teknologjisë, i cili thuhet se i ka paguar kompanisë SpaceX disa miliona dollarë për fluturimin. Pjesë e ekuipazhit është edhe 29-vjeçarja Arceneaux, një e mbijetuar e kancerit të kockave, e cila ka një shufër titani në këmbën e saj, gjë që e bën atë personin e parë që fluturon në hapësirë me një protezë. Chris Sembroski një inxhinier 42-vjeçar i cili punon në industrinë e aviacionit, si dhe 51-vjeçari Sian Proctor me profesion gjeolog dhe profesor kolegji, i cili në vitin 2009, ishte një nga finalistët e konkursit të NASA-s për të qënë astronaut./ VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *