Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, këtë të mërkurë do të vizitojë maqedoninë e Veriut ndërkohë pritet që nesër vizitën e tij ta vijojë në Tiranë.

 

Në këtë vizitë pritet që Varhelyi të theksojë edhe një herë përkushtimin e plotë të Komisionit Evropian ndaj së ardhmes evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

 

 “Gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri – e para në Ballkanin Perëndimor si komisionar – dua të dërgoj sinjal të fuqishëm se perspektiva evropiane e rajonit është prioritet, si për mua personalisht, ashtu edhe për Komisionin Evropian. Ne qëndrojmë pas propozimit për të hapur negociatat e pranimit me të dyja vendet dhe punojmë që kjo të ndodhë shumë shpejt”.

 

Gjatë qëndrimit në Shkup, Varhelyi do të takojë presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, dhe zyrtarë të tjerë të këtij shteti, ndërsa në Tiranë ai do të takohet me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, dhe përfaqësues të tjerë të shtetit.

 

Gjithashtu pritet që komisioneri evropian gjatë qëndrimit në Shqipëri të vizitojë edhe qytetin e Durrësit, i cili në fund të nëntorit është goditur nga një tërmet shkatërrues.

 

Ndërkohë Bashkimi Evropian në tetor të vitit të kaluar nuk e ka miratuar nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, me gjithë rekomandimin e Komisionit Evropian se ato i kanë përmbushur kushtet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *