Ish-prokurori i Durrësit i shkarkuar nga vetting-u, Arjan Ndoja dëshmoi për atentatin ku mbeti i plagosur ndërsa viktimë përfundoi Andi Maloku, shoferi i tij. Ai rrëfeu për Gjykatën e Posaçme se më 1 nëntor të 2019, mbante statusin e magjistratit, ndaj organizimin e atentatit e sheh të lidhur me figurën e tij si prokuror.
Për këtë çështje është esktraduar nga Dubai, Plarent Dervishaj, që akuzohet si porositës i krimit, së bashku me Julian Meçen, të cilin SPAK e akuzon si një nga autorët e ngjarjes.
Të tre u ballafaquan në sallën e gjyqit, ndërsa tensionet ishin të shumta.
Arjan Ndoja: Fizikisht njoh vetëm këtë njeriun këtu, Plarent Dervishajn. Kam qenë në një takim një herë me një avokat. Unë motivin dua të di. Kam dëgjuar nga shtypi, nga shkresat që më keni nisur ju, por nuk e di pse e kanë bërë. Nuk i kam borxh askujt, më intereson arsyeja. Edhe sot, pas 6 vitesh, të dalë dikush të më thotë se ça borxhi u kam. Unë vetëm një shqetësim kam pasur në atë kohë, deklaratat e drejtuesve të qeverisë. Sepse mendoja që mund të më vinin operacionalen, ose të më bënin presion me vetingun. Të vetmet lëvizje mashtruese që kam bërë në atë kohë kanë qenë për të evituar operacionalen. Është goditur prokurori, jo Arjan Ndoja. Arjan Ndoja ja ku është.
Pyetjes së avokatit të Plarent Dervishajt, se pse dyshon që është goditur për shkak të detyrës, Arjan Ndoja iu përgjigj: Në momentin e atentatit, ishte një makinë pas nesh, unë i kam parë në video, se me sy jo. Mjeti erdhi nga pas, nisën të shtënat mbrapa pastaj doli në krahun tim dhe ka gjuajtur. Shoferi i ndjerë, rriti shpejtësinë dhe ngadalësoi kohën. Në momentin e ngjarjes nuk e sheh dot kush të gjuan. Mjeti ishte i imi, ishte lehtësisht i identifikueshëm. Unë kam ekzistencën e faktit, po të donin të gjuanin një nga personat e tjerë në makinë, do e kishin bërë jo me mua. Nuk është e thënë që të kesh konflikt të gjuhesh me armë. Të shtënat kanë qenë nga dy armë, se dallohet zhurma e ndryshme. Kanë qenë të shtëna me plumb tek, por jo breshëri. Vetëm 3 minuta kam qenë koshient, jam rrëzuar në tokë pasi dola nga makina, isha pa ndjenja 6-7 minuta dhe e kam parë veten në spital.
Në fund prokurori i SPAK, Adnan Xholi e pyeti kolegun e tij të dikurshëm nëse dyshon se atentati ndaj tij ka prapavijë politike. Arjan Ndoja tha që nuk ka dijeni. Ish-prokurori tashmë është deputet i Partisë Demokratike, dalë nga zgjedhjet e 11 majit. Në automjet ditën e ngjarjes ishte edhe Aleksandër Laho, që njihet edhe si Rrumi i Shijakut./vizionplus.tv





