Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu prezantoi në një takim të gjerë me mjekë dhe profesionistë, ndryshimet në kodin penal, që ashpërsojnë masat në rastet e dhunës ndaj bluzave të bardha.

 

Manastirliu tha se dhuna ndaj bluzave të bardha do të dënohet nga 1 deri në 5 vite burg.

 

“Në Kod, do të parashikohet për herë të parë që dhuna ndaj profesionistëve të shëndetit është e dënueshme nga 1 deri në 5 vite lirie. Gjithashtu, parashikohet një rëndim i dënimit për kanosjen e mjekut, duke shtuar një paragraf të ri në ligj që dyfishon dënimin për kanosjen e tyre. Shtohet gjithashtu një nen i ri, kundravajtje penale për “pengimin e ushtrimit të detyrës së profesionistit shëndetësor”, çka do të ofrojë një mbrojtje shtesë për të gjithë personelin mjekësor”, tha Manastirliu.

 

Manastirliu deklaroi se një tjetër ndryshim i rëndësishëm që do të ndërmerret do të jetë ai ndarjes së gabimit mjekësor nga neglizhenca në mjekim.

 

“Ka qenë një kërkesë e kahershme e komunitetit të mjekëve për dekriminalizimin e gabimit mjekësor. Me këto ndryshime është hequr si vepër penale gabimi mjekësor, por neglizhenca në mjekim dënohet në mënyrë të përshkallëzuar, në varësi të shkallës së dëmtimit të pacientit”, tha Manastirliu.

 

Gjatë fjalës së saj në bashkëbisedimin me mjekët, Ministrja e Shëndetësisë mbajti një qëndrim të prerë lidhur me korrupsionin e bluzave të bardha.

 

“Ngjarja që ka ndodhur dy ditë më parë në një nga shërbimet ku është investuar më shumë në fakt, në Radioterapinë e shërbimit Onkologjik, është e turpshme dhe e dënueshme. Sikundër reaguam menjëherë me shkarkimin nga puna, nuk do të hezitojmë në asgjë moment për të ndëshkuar këdo që kushtëzon shërbimin falas në institucionet publike me pagesa të paligjshme. Nuk do të ketë tolerancë”, tha Manastirliu.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *