Një ish-këshilltar i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u dënua me 40 muaj burgim, nën akuzat se ka gënjyer Kongresin amerikan dhe ka ndërhyrë te dëshmitarët.

Roger Stone, 67 vjeç, u gjet fajtor nëntorin e kaluar.

Dënimin e shpalli gjykatësja Amy Berman Jackson në Uashington, e cila tha se Stone e ka kërcënuar atë.

Stone është ndihmësi i gjashtë i Trumpit që dënohet nën akuzat që lidhen me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.

Stone u gjobit edhe me 20,000 dollarë dhe duhet të shërbejë 250 orë për komunitetin.

Dënimi i tij, megjithatë, është më i vogël se rekomandimi fillestar i prokurorëve për shtatë deri në nëntë vjet burgim.

Përmes një serie postimesh në rrjetin social, Twitter, Trump i ka konsideruar kërkesat për burgosjen e Stone si “të tmerrshme dhe të padrejta”.

Më pas, prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, William Barr, ka rekomanduar dënim më të ulët për Stone, duke nxitur reagime për ndërhyrjen e mundshme të presidentit në këtë rast.

Për rrjedhojë, katër prokurorë kanë dhënë dorëheqje./R.E.L

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *