Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Emirit të Kuvajtit, sheik Sabah i IV-të.

Ruçi shkruan se populli shqiptar i është mirënjohës Emirit Sabah dhe popullit kuvajtian për ndihmën e tyre ndaj Shqipërisë, në veçanti për kontributin e dhënë për familjet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Me dëshpërim të thellë mësova lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të Emirit të Kuvajtit, Sabah al-Ahmad al-Jaber al-Sabah. Emiri Sabah ishte një udhëheqës i respektuar i popullit të Kuvajtit dhe njëkohësisht një diplomat i shquar, kontributor e ndërmjetës i spikatur dhe i vendosur i paqes në rajon e më gjerë, si edhe një humanist i njohur globalisht. Populli shqiptar i është mirënjohës Emirit Sabah si edhe popullit kuvajtian për ndihmën e tyre ndaj Shqipërisë si edhe kontributin për familjet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Me ndarjen e tij nga jeta, Kuvajti humbi liderin e vet, bota një luftëtar të paqes dhe populli shqiptar një mik bujar. Në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe timin personal, i shprehim ngushëllimet e sinqerta popullit kuvajtian, Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit dhe Ju personalisht për këtë humbje të madhe”, shkruan Ruçi. 

Sheikh Sabah drejtoi vendin prodhues të naftës që nga viti 2006. Ai ka drejtuar politikën e tij të jashtme për më shumë se 50 vjet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *