Lideri i opozitës ruse Aleksi Navalni është helmuar me noviçok.

Kancelaria gjermane Angela Merkel, në një konferencë për shtyp, u shpreh qartë duke thënë se 44-vjeçari është “një viktimë e një vrasjeje të mbetur në tentativë”, dhe se qëllimi i helmimit ishte ta bënte atë të heshte përgjithmonë.

Qeveria gjermane ka bërë të ditur se testet e kryera kanë treguar prezencë të agjentit nervor, i njëjti që është përdorur edhe për helmimin e agjentit të dyfishtë rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia në Salisbury në Londër. 44-vjeçari, njëherësh dhe kritiku më i ashpër i presidentit rus Vladimir Putin, vijon të jetë në gjendje kome në spitalin universitar të Berlinit, që pas helmimit muajin e kaluar.

Lajmin e bëri të ditur zëdhënësi i qeverisë Steffen Seibert. Kancelaria Angela Merkel zhvilloi takime urgjente me zyrtarë të lartë për hapat e mëtejshëm. Ministri i jashtëm Heiko Maas dhe ajo e mbrojtjes Annegret Kramp-Karrenbauer, njoftuan se ambasadori rus në Berlin është thirrur në lidhje me hetimin e plotë dhe transparent të helmimit të liderit të opozitës ruse. Ata njoftuan se qeveria gjermane do të informojë partnerët në Bashkimin Evropian dhe NATO për rezultatin e provave, por edhe “mbi një përgjigje të përbashkët”.

Kremlini ka reaguar menjëherë zbulimit. “Një informacion i tillë nuk na është transmetuar”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov për agjencinë shtetërore të lajmeve.

Novichok është një agjentë nervor i përdorur nga ish-Bashkimi Sovjetik në fund të Luftës së Ftohtë. Ekspertët perëndimor të armëve thonë se është prodhuar vetëm në Rusi. Me të njëjtin agjent u helmua Sergei Skripal në vitin 2018. Më 20 gusht të këtij viti, kundërshtari kryesor i Vladimir Putin, gjatë një fluturimi për në Moskë, u ndje papritur keq dhe më pas kaloi në gjendje kome. Mjekët rus kanë mohuar kategorikisht helmimin, duke thënë se nuk kanë gjetur prova të mjaftueshme se në trupin e tij ka pasur agjentë nervorë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *