Partia Demokratike ka paditur Ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshajn si dhe disa punonjës të tjerë të policisë me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe veprimeve të paligjshme kundër protestuesve.

 

Në padinë e depozitar në prokurori, sekretari I Përgjithshëm, Gazment Bardhi shprehet se ministri ka dhunuar e sulmuar me mjete helmimi dhe ujë me presion mbështetësit e opozitës të cilët po protestonin paqësisht.

 

“Është e provuar se gjatë zhvillimit të protestës Policia e Shtetit, duke shpërdorur detyrën, ka dhunuar dhe sulmuar me mjete të helmimit masiv dhe ujë me presion qytetarë, të cilët po protestonin paqësisht.”- thuhet në letrën shoqëruese qe Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi i ka dërguar Prokurorisë së Tiranës.

 

Duke iu referuar pamjeve filmike që i disponon, PD vë në dukje se qëllimi I policisë ka qenë pengimi I zhvillimit të protestës dhe për këtë arsye ka hedhur gaz dhe ujë ndaj protestuesve dhe jo personave që kanë shkelur ligjin.

 

“Qëllimi i Policisë ka qenë pengimi i zhvillimit të protestës, duke hedhur mjete të helmimit masiv dhe ujë me presion ndaj të gjithë protestuesve, jashtë rregullave dhe rrethanave të lejuara nga ligji. Pamjet filmike provojnë një veprim kriminal të punonjësve të Policisë së Shtetit, që sulmojnë me gaz edhe qytetarë që janë të shtrirë në rrugë për shkak të problemeve shëndetësore apo qytetarë që përpiqen t’u vijnë në ndihmë atyre. Kjo është qartazi, jo vetëm shpërdorim detyre, por edhe një tentativë për të rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e qytetarëve.”-vërejti Sekretari i Përgjithshëm i PD.

 

PD I kërkon prokurorisë që të pezullojë nga detyra ministrin Lleshaj dhe të gjithë personat e akuzuar. Por krahas kësaj kërkese PD e akuzon organin e akuzës se është kthyer në seksion të certifikimit të paligjshmërive të Policisë së Shtetit.

 

“Prokuroria  nënshkruan çdo urdhër arresti që i vendoset përpara nga Policia e Shtetit, duke u përdorur si mekanizëm presioni dhe shantazhimi ndaj qytetarëve të pafajshëm, të cilët arrestohen për disa ditë, pa kryer asnjë shkelje dhe shpesh edhe pa qenë fare në protestë. Trajtimi i këtij kallëzimi penal dhe mbi të gjitha hetimi me profesionalizëm i dhunës së ushtruar nga Policia e Shtetit, është një tjetër provë nëse në Shqipëri, organi i prokurorisë është institucion i pavarur dhe i paanshëm, siç përcakton Kushtetuta dhe ligji, apo është zyrtarisht degë e pushtetit kriminal të kësaj Qeverie ilegjitime.”-thuhet në dokumentin shoqërues të kallëzimit penal të Partisë Demokratike.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *