Subscribe

Te parat parti të regjistruara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve i përkasin të djathtës. Mes dhjetë partive të vogla politike janë “Lëvizja për Ndryshim” e Jozefina Topallit, “Bindja Demokratike” e Astrit Patozit, PDIU e Shpëtim Idrizit dhe “Lëvizja Demokratike Shqiptare e Myslim Murrizit”.

 

Përveç regjistrimit të dhjetë subjekteve të para politike, shton Vizion Plus, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi edhe mbledhjen e firmave për dy kandidatë që do të garojnë në parlamentaret e Prillit si të pavarur.

 

Kur duhen edhe dhjetë ditë nga afati i fundit, tre partitë kryesore, ajo Socialiste, Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ende nuk janë regjistruar si subjekte politike. Me përfundimin e këtij afati që është 14 Shkurti, deri më 24 Shkurt, partitë politike duhet të regjistrohen nëse do të garojnë si koalicione.

 

Partia Socialiste është deklaruar se në parlamentaret e 25 Prillit do të konkurrojë e vetme, me asnjë parti tjetër në koalicion.

 

Ndryshe në kampin opozitar, ku opozita e bashkuar do të shkojë me dy koalicione. Deri më tani, Partia Demokratike do të dalë me një listë të vetme me Agron Dukën, Nard Ndokën dhe Dashamir Shehin. Ende nuk ka një marrëveshje me Partinë Republikane të Fatmir Mediut apo PDIU-n e Shpëtimi Idrizit.

 

Vazhdojnë negociatat mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Qasja e deritanishme është që PD dhe LSI, të garojnë me një listë të vetme në disa qarqe, me qëllim maksimalizimin e votës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *