Ajo arriti të mposhtë kancerin e gjirit, por vdiq në moshën 42 vjeçare nga koronavirusi. Pak para se të ndërront jetë, Sundee Rutter nga Uashington, arriti të dëgjonte për herë të fundit fëmijët e saj. Ata i dhanë lamtumirën nga xhami i dhomës së spitalit.

 

Sipas “CNN”, fëmijët tetë vjet më parë kishin humbur edhe babanë. Mjekët vendosën t’u japin një mundësi atyre që të përshëndeten për të fundit herë dhe për t’i qëndruar pranë asaj në momentet më të vështira.

 

Njëri prej fëmijëve, Elijah Ross Rutter, 20 vjeç, ka treguar çastet e vështira.

 

“Ata na dhanë një “ëalkie-talkie”. Ne ishim atje, gati pranë saj. Përmes xhamit e pamë për herë të fundit dhe i thamë fjalët tona të fundit, ne i thamë lamtumirë nënës. Unë i thash asaj që e dua shumë. Është e vështirë në ato momente, ti nuk e di se çfarë mund të thuash. Dhe unë i thashë asaj se gjithçka do të jetë në rregull me vëllezërit e vegjël.”

 

Ai tregoi se nëna e tij kishte vetëm pak kohë që kishte fituar betejën me kancerin.

 

“Ne të gjithë po merrnim frymë lirisht. U ndjemë sërish bashkë, të bashkuar.”

 

Por pas kësaj, nëna e fëmijëve filloi në 2 mars të kishte probleme me frymëmarrjen dhe dhimbje koke të rënda. Ajo u shtrua në spital, mori mjekim dhe më pas u kthye në shtëpi. Por gjendja shëndetësore u përkeqësua sërish. Ajo humbi jetën në 16 mars. Djali i madh, Elijah Ross Rutter ka marrë përsipër tani të kujdeset për vëllezërit më të vegjël.

 

“Të gjithë do të rritemi së bashku. Ne duam të jemi bashkë, të luftojmë së bashku. Dhe unë dua që të gjithë ne të bëhemi të fortë, të pjekur, përgjegjës, pikërisht ashtu siç do të kishte dashur mamaja.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *