Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) tha për Radion Evropa e Lirë se ka refuzuar kërkesën për vizitën e ministrit serb të Shëndetësisë, Zllatibor Llonçar, në Kosovë, në shenjë hakmarrjeje me refuzimin nga autoritetet serbe të vizitës të ministrit të Kulturës të Kosovës, Hajrulla Çeku në preshevë.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi, ka dorëzuar kërkesën për vizitën e ministrit Çeku më 20 mars 2025, ndërsa nuk ka marrë asnjë përgjigje nga pala serbe deri më 26 mars, ditën kur ishte planifikuar vizita”, tha për REL-in, Qëndresa Fazliu nga Zyra për Komunikim në MPJD.
“Nga ana tjetër, pala serbe ka parashtruar kërkesën e saj më 24 mars, pra katër ditë pas kërkesës sonë, dhe ka kërkuar që vizita e tyre të marrë përparësi. Pra që ne ta miratojmë kërkesën e tyre para se ata të trajtojnë kërkesën tonë, ani pse ne të parët kemi bërë kërkesën”, shtoi Fazliu.
Nga MPJD-ja akuzuan Serbinë për “qasje destruktive”, duke shtuar se Beogradi synon “të imponojë njëanshmëri në trajtimin e vizitave zyrtare”.
“MPJD rithekson se qasja e Kosovës do të mbetet e bazuar në reciprocitet dhe duke respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Kosovës”, tha Fazliu nga MPJD.
Më herët gjatë 26 marsit, kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, njoftoi se Çekut për herë të dytë i ishte refuzuar vizita në Preshevë, një nga tre komunat në jug të Serbisë, të banuar me shqiptarë.
Në anën tjetër, ministri serb i Shëndetësisë, Zllatibor Llonçar.
Sinani ka akuzuar autoritetet në Serbi se fshihen “pas një fasade pro-evropiane”, por vendime të tilla, sipas saj janë “akt i politikës nacionaliste serbe”.