Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca ka informuar mbi situatën e krijuar në vend, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që kanë përfshirë vendin.

 

Në një postim në “Facebook”, Krifca sqaron se deri më tani nga inspektimet në terren të Drejtorive të Ujitjes dhe të Kullimit Lezhë, Durrës, Fier dhe Korçë, rezulton se sasitë e konsiderueshme të reshjeve të rëna gjatë natës dhe që ende po vazhdojnë, kanë ndikuar në rritjen e nivelit të ujit në infrastrukturën e kullimit (kanalet kulluese dhe kanalet e ujërave të larta), por pa krijuar probleme.

 

Të gjithë hidrovoret, bën me dije ministrja, janë në funksion të plotë dhe po punohet për mbajtjen e niveleve normale të ujit, megjithëse kemi rritje të prurjeve të ujit në kolektorët kryesor, që përcjellin ujin tek hidrovoret.

 

“Deri më tani, nivelet e lumenjëve nuk përbëjnë shqetësim për dalje nga shtrati apo përmbytje. Stafet teknike të Drejtorive të Ujitjes dhe Kullimit janë në terren dhe po monitorojnë nga afër situatën, kryesisht për të ndërhyrë me eskavator në rast të bllokimit nga papastërtitë e kanaleve kulluese, si dhe po vlerësojnë në mënyrë dinamike nivelet e lumenjëve”, shkruan mes të tjerash Krifca.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *