Me cilësimin se lokalet dhe restorantet përbëjnë vatra të rrezikshme të përhapjes së virusit, kryeministri Edi Rama me një gjuhë lutëse u kërkon të zotëve të këtyre bizneseve të respektojnë masat mbrojtëse. Atyre u kujton të mos përfitojnë nga mirëkuptimi i policisë së shtetit. Rreziku i mbylljes së biznesit është aty.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

Duan me çdo kusht të shfrytëzojnë çdo metër katror të lokalit dhe harrojnë që duke bërë kështu rrezikojnë të kontribuojnë për mbylljen e lokalit, vetëm e vetëm se nuk duan të kuptojnë se nuk është koha të shfrytëzojnë çdo metër katror për të fituar disa lekë më shumë. Të mos e sfidojnë shtetin. Nuk është e vështirë për ne, të sulm policinë e shtetit nëpër lokale e restorante për të vendosur rregull, por a është kjo ajo që duam.

 

Po përgjërues, kreu i qeverisë ishte edhe për qytetarët, e veçanërisht për ata që janë mohues ndaj ekzistencës së virusit.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

Është një lojë e madhe e Bill Gates për t’i vënë çipa çunave të Laçit apo djemve të Vlorës apo për të dëgjuar live me satelit këngët polifonike përmes çipit në gojën e këngëtarëve apo mos vallë është një përpjekje që çipi të bllokojë kordat e këngëtarëve të dasmave. Është hata e madhe kjo punë.

 

Duke sjellë shembuj nga disa vende të Evropës, ku po zbatohen mbyllje të pjesshme të lëvizjes së qytetarëve dhe aktiviteteve ekonomike, Edi Rama tha se rikthimi i karantinës është në dorën e qytetarëve.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

Ju lutem, ju lutem të mos bëhemi ne me duart tona ata qe t’iu mbyllim dyert e shtëpive, lokaleve, bizneseve apo makinave dhe mbeten peng i përqeshjes së një rreziku që është real.

 

Thirrjet për mbajtje të maskave në mjediset e hapura dhe ruajtja e distancës në lokale e restorante, kryeministri i bëri gjatë dhurimit të 60 respiratorëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me pajisjet e reja, sipas kreut të qeverisë, sistemi shëndetësor është i përgatitur për të përballuar edhe skenarin më të vështirët të përhapjes së virusit, me respiratorë, barna dhe ekipin e mjekëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *