Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka paraqitur konkluzionet përfundimtare për ish-shefin e Rrugores, Roven Zeka, duke kërkuar dënimin e tij me 4 vite burg.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi zbret në 2 vite e 8 muaj dhe konvertohet në 3 vite shërbim prove.
I njëjti dënim u kërkua edhe për Sokol Novakun.
Ndërsa për të bashkëpandehurin tjetër, Bledi Belba, është kërkuar 1 vit e 6 muaj burg.
Sokol Novaku dhe Roven Zeka, në bashkëpunim, akuzohen se kanë marrë ryshfet në këmbim të lehtësimit të pozitës së një gruaje që kishte shkaktuar aksident.
Ngjarja ka ndodhur më 16 prill të vitit të kaluar në Tiranë, ku dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin.
Si pasojë, pesë persona që udhëtonin në njërën nga makinat janë dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
SPAK dyshon se për të kryer këtë favorizim, zyrtarët e Rrugores kanë marrë 2 mijë euro.





