Për tetë ditë me radhë, rreth 600 vatra zjarri janë aktivizuar në të gjithë Greqinë, ndërsa mijëra forca zjarrfikëse gjenden në terren për të vënë situatën nën kontroll.Por ishulli i dytë më i madh, Evia dhe disa zona të tjera kanë mbetur ta pashpresë.

 

Bilanci njerëzor numëron tre viktima dhe dhjetëra të plagosur, ndërsa mijëra hektarë sipërfaqe pyjore dhe tokë bujqësore, banesa e biznese, janë shkatërruar plotësisht.

 

Qindra persona kanë protestuar para parlamentit duke akuzuar qeverinë për mungesën e përgjigjes së duhur ndaj zjarreve. Ata fajësojnë kryeministrin për mungesë përgjegjshmërie dhe korrupsion.

 

Kreu i ekzekutivit, Kyriakos Mitsotakis pranoi se situata është jashtë kontrollit dhe kërkoi falje për katastrofën natyrore në Evia dhe Atikë.

 

“Së pari kërkoj falje për çdo dobësi që ekzistonte në reagimin ndaj situatës. Megjithatë, reagimet tona nuk duhet të jenë të verbra. Çdo dështim do të identifikohet. Dhe përgjegjësitë do të caktohen kurdo dhe kudo që është e nevojshme. Çështja e parë, tani për tani, janë zgjidhjet. Ashtu siç çështja e parë ishte dhe mbetet mbrojtja e jetës njerëzore. Ne i detyrohemi vetes që të shtrëngojmë dhëmbët dhe të ecim përpara. Herë të tjera vendi përjetoi katastrofa, por mbeti në këmbë. E njëjta gjë do të ndodhë edhe tani, duke e kthyer trishtimin tonë në force”, tha Micotakis.

 

Kryeministri Micotakis miratoi një buxhet shtesë prej 500 milionë eurosh për ripyllëzimin e zonave më të goditura ndërsa premtoi se nuk do të mbetet askush pa ndihmë për rimëkëmbje.

 

Brenda 24 orëve, u organizuan më shumë se 60 evakuime të banorëve në 141 zona. Shtetet e Bashkuara dhe disa vende europiane dhe të Lindjes së Mesme dërguan të tjerë zjarrfikës, avionë e helikopterë në ndihmë të Greqisë.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *