Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi komentoi situatën e tensionuar politike në Bjellorusi dhe ndërhyrjen e kryeministrit Edi Rama si kryesues i OSBE për të dhënë një zgjidhje.

Në “Facebook”, Bylykbashi kujtoi vitin 2001 kur ai vetë kishte shkuar si vëzhgues në zgjedhjet e mbajtura asokohe në Bjellorusi.

Me ironi, demokrati tha se manipulimet që ata u bënë votave, nuk përfilleshin hiç përballë socialistëve në Shqipëri.

“Mirë u ngordhi lopa, po s’i lënë rehat as mizat! Në fillimin e shtatorit 2001, bashkë me dy kolegë të tjerë nga Shqipëria, Elsa Ballauri dhe Maksim Shimani, iu bashkova si vëzhgues afatshkurtër Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve në Bjellorusi. Ishte tentativa e Lukashenkos për një mandat të dytë si president. Lajmet e këtyre ditëve më kujtuan eksperiencën e zgjedhjeve të shtatorit 2001 në Bjellorusi. Na thanë të bënim kujdes se Lukashenko e paraqiste ODIHR-in si “djalli” që kishte ardhur të prishte Bjellorusinë. Asokohe Perëndimi kishte dominancë në OSBE dhe nuk i kishte hyrë shejtani akoma. Ato ditë pamë manipulime aq të trasha saqë dukeshin brutale dhe foshnjarake. Krahasuar me atë që kisha parë në qershor-gusht të atij viti në Shqipëri, Lukashenko dhe shpura e tij post-sovjetike kishin mungesë të theksuar “fantazie” në manipulimin e zgjedhjeve përballë ustallarëve socialistë në Shqipëri. Në përfundim Lukashenko u rizgjodh për një mandat të dytë me më shumë se 85% të votave. Nuk e turpëronte veten më pak ai.”

Më pas, Bylykbashi shtoi se në të njëjtën ditë u shembën kullat binjake në Neë York, një ngjarje që ndryshoi botën.

Pjesë të ndryshimit ai futi edhe faktin që Rama është udhëheqës i OSBE dhe sot ndërmjetëson në Bjellorusi për të zgjidhur krizën politike.

“Atë ditë ishte 11 shtator 2001. Pak orë më vonë, rrëzimi i dy kullave binjake në Neë York do të ndryshonte botën. E ku e imagjinoja dot unë atë ditë që bota do të ndryshonte aq sa vetë ustai i manipulimit të zgjedhjeve në Shqipëri, do të udhëhiqte OSBE, do të jepte bekimin për raportin e vëzhgimit të zgjedhjeve të manipuluara bjelloruse dhe madje do të guxonte të ndërmjetësonte zgjidhjen e krizës pas rrahjes brutale të protestuesve. Çfarë fati ters dhe cinik patën bjellorusët!”

Prej disa ditësh, në Bjellorusi nuk ndalen protestat. Mijëra qytetarë kanë pushtuar rrugët e sheshet për të kundërshtuar regjimin e Aleksandër Lukashekos.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *