34 vjet pasi është prodhuar, vaksina e vetme kundër malaries në botë, Mosquirix mori miratimin e organizatës botërore të shëndetësisë për përdorim masiv. Ajo do të përdoret edhe tek fëmijët nën moshën 5 vjeç të cilët janë kategoria më e prekur nga sëmundja parazitare vdekjeprurëse, në Afrikë.

Në këto dekada produkti i kompanisë britanike GlaxoSmithKline i cili injektohet në katër doza, është testuar klinikisht, ndërsa prej vitit 2019, rreth 2.3 milionë injeksione janë administruar tek foshnjat në Gana, Kenia dhe Malavi, përmes një programi të zgjeruar pilot.
Vendimi konsiderohet historik pasi vlerësohet se në kontinentin afrikan me rreth 1.3 miliardë banorë, Malaria merr jetën e një fëmije në çdo dy minuta.

“Përdorimi i kësaj vaksine si shtesë ndaj mjeteve të tjera ekzistuese për të parandaluar malarien, mund të shpëtojë mijëra jetë njerëzish çdo vit. Malaria është vrasësi më jetëgjatë i njerëzve në histori. Kjo është një vaksinë e prodhuar në Afrikë, deri më tani është përdorur tek qindra mijëra fëmijë gjatë programit pilot. Është e sigurt dhe efektive”, shprehet Dr. Pedro Alonso, shef i Programit Botëror të malaries.

Malaria është shumë më vdekjeprurëse sesa COVID-19, dy vjet më parë, në Afrikë u regjistruan më shumë se 386,000 viktima nga kjo sëmundje e cila shkaktohet nga parazitët që transmetohen te njerëzit nga pickimi i mushkonjave të infektuara.
Efektshmëria e vaksinës së prodhuar me teknologjinë Mrna, është rreth 30 për qind. Agjencia Evropiane e Barnave e miratoi atë në vitin 2015, duke thënë se përfitimet tejkalojnë rreziqet.

Një tjetër vaksinë kundër malaries e quajtur R21/Matrix-M, e cila është zhvilluar nga shkencëtarët e Universitetit të Oksfordit në Britani, ka shfaqur 77 përqind efektshmëri në një studim të kryer për një vit me 450 fëmijë në Burkina Faso, por kjo vaksinë është duke u studiuar ende.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *