Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Gianni De Biasi, në prag të miqësores ndaj Bosnjë-Hercegovinës ka komentuar largimin e Taulant Xhakës nga Kombëtarja kuqezi.

 

“Ka rregulla për të qëndruar në grup, i pari është të respektosh shokët dhe vendimet e trajnerit. Nëse dikujt i duket vetja më i mirë mjafton ta tregojë në fushë. Unë ua kam dhënë mundësinë të gjithëve, por nëse mendon se duhet të luajë gjithmonë kjo është një çështje tjetër që nuk më takon. Kombëtarja ka një president dhe një trajner që thërret lojtarët por jo të 23 mund të luajnë dhe unë duhet të kujdesem për të gjithë. Nëse dikush vetëpërjashtohet atëherë nuk është puna ime, unë jam mësuar të përballem me vështirësitë. Nëse paraqitesh mirë te skuadra ku luan nuk do të thotë domosdoshmërisht se do të luash me përfaqësuesen”.

 

Sfida e radhës ndaj Bosnje Hercegovinës do t’i shërbejë drejtuesit të stlit kuqezi për të marrë sa më shumë përgjigje nga grupi pak muaj përpara duelit me Izraelin.

 

“Do të përpiqemi të arrijmë një rezultat pozitiv por do të kërkojmë të integrojmë edhe elementë të rinj. Kjo ndeshje për ne është një test sepse përballë kemi një skuadër shumë të fortë ndaj se cilës duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Jam i fokusuar që tani për sfidën e Qershorit në Izrael dhe kjo ndeshje do të na shërbejë shumë për atë përballje”.

 

Në fund, De Biasi ritheksoi edhe një herë se është Presidenti i federatës Armand Duka ai që duhet të hedhë hapin e parë për çështjen e kontratës.

 

“Kam raport të mirë me grupin nuk ndikohem nga thashethemet. Përpiqem t’i mbroj lojtarët, ata ndoshta jo. Por për të qëndruar në një grup ka rregulla”, ka thënë De Biasi në konferencën për shtyp.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *