Ministrja e Drejtësisë, zj.Etilda Gjonaj zhvilloi një seancë dëgjimore me një grup deputetësh të Parlamentit Gjerman të kryesuar nga z.Florian Hahn, pjesë e Komisionit për Çështje Evropiane.

 

Z.Hahn, në fjalën e tij të mirëseardhjes vlerësoi praninë e delegacionit shqiptar në kushtet kur edhe Bundestag shumë shpejt do të marrë një vendim për qendrimin që do të mbajë Gjermania mbi rekomandimin e Komisionit të BE për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

 

Ministrja e Drejtësisë i njohu pjesëmarrësit me proceset e rëndësishme shtetformuese që ka ndërmarrë Shqipëria, veçanërisht Reformën në Drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në fjalën e saj, Ministrja bëri me dije që rekomandimi i Komisionit të BE për hapjen e negociatave me BE është një vlerësim për të gjitha arritjet e Shqipërisë deri më tani, veçanërisht duke marrë në konsideratë që Shqipëria ka ndërmarrë reformat më të thella në sistemin gjyqësor dhe në luftën kundër krimit të organizuar në krahasim me çdo shtet tjetër në Ballkanin Perëndimor.

 

Ministrja Gjonaj u ndal në arritjet e deritanishme të reformave në Shqipëri, duke u fokusuar në ecurinë e Reformës në Drejtësi dhe rëndësinë e krijimit të një sistemi gjyqësor transparent, të pavarur, të paanshëm dhe efiçent në funksion të zhvillimit të shtetit të së drejtës dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.

 

Ministrja Gjonaj bëri me dije masat që Qeveria shqiptare ka marrë për të forcuar luftën kundër kultivimit të kanabisit, duke vënë në dukje që për herë të parë Shqipëria ka dalë nga harta e vendeve kultivuese të kanabisit.

 

Ministrja e Drejtësisë i bëri me dije të deputetëve që pavarësisht fillimit të ngadaltë, procesi i Vettingut po ecën me një ritëm të kënaqshëm dhe është parashikuar që shumë shpejt do të përfundojë rivlerësimi i listës prioritare dhe më pas menjëherë mund të ngrihen organet e reja të sistemit të drejtësisë. Gjithashtu, ajo bëri me dije që reforma në drejtësi dhe reformat e tjera që po ndërmerr Shqipëria për çështjen e pronave, përmirësimin e shërbimeve publike dhe derregullimin garantojnë forcimin e shtetit të së drejtës dhe rrugëtimin evropian të Shqipërisë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *