Mandarinat me pesticide ishte kryefjala e kësaj jave, për shkak të rrezikut se ato janë konsumuar nga qytetarët.
Një sasi prej 20 tonë mandarina të kthyera nga Kroacia ka detyruar gjykatën e Beratit të lërë në burg tre persona, pasi ka dyshime të forta që ato në vend që të asgjësoheshin u shitën treg.
Numri dy i ministrisë, Arian Japullari, i ftuar në emisionin “E-ZONE” mohoi se këto sasi të jenë hedhur në treg, por fjala e fundit i takon gjykatës.

“Qëndrimi ynë është që kjo sasi nuk ka përfunduar në treg. Përgjegjësia e kësaj situate është e operatorit ekonomik, i cili nuk ka njoftuar Autoritetin Kombëtar të Ushqimit që ngarkesa po kthehet. Është detyrim ligjor që AKU të njoftohet dhe asgjësimi i produkteve të bëhet në praninë e institucionit. Por operatori e ka bërë vetë. Nga verifikimet tona janë parë vendet ku është kryer asgjësimi, por hetimet do të konkludojnë nëse është asgjësuar e gjithë sasia”, deklaroi Jaupllari.
Dy llojet e pesticideve që janë gjendur në mandarina janë preparate të ndaluara për përdorim. Por pse fermerët i përdorin ato?
“Ngjarje të tilla janë dhe një mësim për fermerët që të mos i përdorin këto pesticide. Tregu ka dhe mallra kontrabandë, ndaj është e rëndësishme që të përdoren pesticide të lejuara dhe të tregtuara në farmacitë bujqësore. Mbi të gjitha fermerët duhet të edukohen që të respektojnë kohën e nevojshme, që nevojitet për tu prodhuar produkti, kohë që njihet si karenca”, tha Jaupllari.
21 tonë mandarina u nisën në periudhën nëntor-dhjetor për eksport në tri ngarkesa. Por të tria u kthyen nga pala kroate. 10 prej tyre janë blerë në Berat, ndërsa pjesa tjetër në Sarandë dhe janë eksportuar nga një operator ekonomik, i cili sot është i arrestuar. Shqipëria eksportoi në vitin 2024 471 mijë tonë produkte ushqimore me një rritje gati 21 % krahasuar me një vit më parë.

/vizionplus.tv





