Në kohën e përshkallëzimit të tensioneve me Uashingtonin, ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, ka paralajmëruar për anarki në Lindje të Mesme, nëse fuqitë botërore nuk bashkohen për të ndaluar, atë që e ka cilësuar si agresion të Shteteve të Bashkuara.

Agjencia iraniane e lajmeve, IRNA, ka thënë se Zarif i ka bërë këto deklarata me 24 maj në Islamabad, ku është takuar me zyrtarë të lartë pakistanezë.

Marrëdhëniet në mes të Teheranit dhe Uashingtonit janë tensionuar prej kur presidenti amerikan, Donald Trump është tërhequr një vit më parë nga marrëveshja bërthamore që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore.

Kjo marrëveshje parasheh kufizimin e aktivitetit bërthamor të Iranit, në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare.

Prej largimit nga kjo marrëveshje, Uashingtoni ka rikthyer sanksionet ndaj Iranit, duke i dëmtuar sektorin bankar dhe atë të naftës.

Më herët gjatë këtij muaji, Shtetet e Bashkuara kanë rritur prezencën ushtarake në Lindje të Mesme dhe Gjirin Persik, duke cituar “kërcënimet” nga Irani, çka ka rritur shqetësimet për ndonjë konflikt ushtarak me Iranin.

Teherani në anën tjetër ka mohuar këto pretendime.

Liga Arabe pritet të mbajë një takim urgjent javën e kaluar, pas përshkallëzimit të tensioneve në rajon.

Zarif ka kritikuar presidentin Trump, gjatë vizitës së tij në Pakistan për shkak se ka futur muajin e kaluar, Gardën Revolucionare të Iranit, në listën e grupeve terroriste.

Irani dhe Pakistani ndajnë një kufi prej 900 kilometrash dhe Teherani ka thënë se militantët myslimanë sunitë kanë gjetur streha të sigurta në disa provinca të Pakistanit./R.E.L

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *