Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka zhvilluar një takim me homologun e tij spanjoll, José Manuel Albares.

Duke falënderuar ministrin Albares për mikpritjen e ngrohtë, Ministri Hasani theksoi marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme të Spanjës në rrugën e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Shqipëria mirëpret vëmendjen e posaçme të politikës së jashtme spanjolle ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Forcimi i bashkëpunimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe rajonit tonë është bërë më i rëndësishëm se kurrë në dritën e zhvillimeve të reja nëpër botë.

Me gjithë agjendën e ngjeshur të Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian, Spanja bëri përpjekje të jashtëzakonshme për të mbajtur në tryezën e diskutimit politikën e zgjerimit dhe Ballkanin Perëndimor.

Ministri spanjoll Albares vlerësoi progresin e Shqipërisë gjatë vitit të kaluar në rrugën e saj drejt BE-së dhe ritheksoi mbështetjen e plotë të Spanjës për përpjekjet e vendit tonë për t’u bërë një kandidate lider në procesin e zgjerimit të BE-së.
Në fokus të takimit ishte edhe intensifikimi i marrëdhënieve ekonomike.

Ministri Hasani theksoi se pozicioni strategjik dhe mjedisi miqësor ndaj biznesit e bëjnë Shqipërinë një zgjedhje të zgjuar për investitorët dhe turistët.

Plani i rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, inaugurimi i bazës së NATO-s në Kuçovë, lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe konflikti aktual në Lindjen e Mesme ishin ndër çështjet e tjera të diskutuara.

Sot, u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet ministrive të jashtme të Shqipërisë dhe Spanjës, për bashkëpunimin e akademive diplomatike.

Ky memorandum synon vendosjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit për trajnimin e diplomatëve të dy vendeve, si dhe shkëmbimin e informacionit në disiplina akademike përkatëse.

Ministrat Hasani dhe Albares diskutuan gjithashtu rreth projektit UNED, për krijimin e një kampusi në vitin 2024 në qytetin e Gjirokastrës, i cili së bashku me Kolegjin e Evropës do të jetë kampusi i parë universitar joshqiptar europian që do të inaugurohet në Shqipëri, ndoshta në muajt në vijim.

Marrëdhëniet në fushat e kulturës dhe shkencës janë përmirësuar ndjeshëm gjatë dekadës së fundit, siç tregohet nga prania e spanjishtes në Departamentin e Studimeve Hispanike në Universitetin e Tiranës dhe nënshkrimi, gjatë takimit ministror, i një Memorandumi Mirëkuptimi midis Shkollave Diplomatike të dy vendeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *