Në kuadër të vizitës së tij në Bruksel, Ministri Bushati zhvilloi takime me Kryetarin e Komisionit parlamentar evropian për punët e jashtme, Elmar Brok, Presidentin e Grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në PE, Gianni Pittella dhe Raporterin për Shqipërinë në PE, Knut Fleckenstein.
Gjatë takimeve, Ministri Bushati i njohu bashkëbiseduesit me ecurinë e reformave shtetndërtuese në Shqipëri dhe punën që po bëhet nga qeveria për adresimin e 5 prioriteteve kyçe. Ai u ndal veçanërisht tek reforma në drejtësi, miratimi dhe zbatimi i së cilës do të kenë efekt të drejtpërdrejtë jo vetëm në fushat që kanë të bëjnë me shtetin ligjor, por edhe në reformat që lidhen me përmirësimin e klimës së biznesit dhe sundimit të ligjit në ekonomi.
Duke u ndalur në gjetjet pozitive të Raportit të Komisionit Evropian dhe raportet e disa organizmave ndërkombëtarë që trajtojnë situatën ekonomike, korrupsionin, etj., Ministri Bushati vuri në dukje se reformat tashmë kanë filluar të japin rezultate të prekshme. Shqipëria është e vendosur në përmbushjen e angazhimeve të dakordësuara me KE-në në kuadër të rrugëtimit evropian dhe po punon me vendosmëri për hapin e radhës, atë të hapjes së negociatave për anëtarësim. Ministri Bushati shprehu besimin se këto rezultate pozitive do të gjejnë pasqyrim edhe në rezolutën që pritet të diskutohet nga Parlamenti Evropian për vendin tonë.
Deputetët e Parlamentit Evropian vlerësuan ecurinë e reformave të ndërmarra dhe ndikimin e tyre në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së. Ata gjithashtu vlerësuan angazhimin për të vijuar me vendosmëri përmbylljen e reformës në drejtësi. Roli proaktiv dhe konstruktiviteti i Shqipërisë në rajon, si dhe linjëzimi i plotë i politikës sonë të jashtme me atë të BE-se u vlerësua si tepër i rëndësishëm nga eurodeputetët.