Milan dhe Laipzig prenë biletat e fundit për në fazën e 1/8 të Champions League. Kuqezinjtë fituan me gola dhe spektakël 4 me 0 kundër Salzburg në duelin direkt të “San Siros” dhe kaluan grupin pas 9 vitesh.

 

Në sfidën e transmetuar në Tring, ishte Zhiru që zhbllokoi shpejt sfidën që në minutën 13 pas një gjuajtje me kokë, në një goditje nga këndi të Tonalit. Vendasit krijuan sërish në pjesën e parë, por nuk shënuan më, gjë të cilën në fakt e realizuan në të dytën kur Zhiru shërbeu për Krunic, i cili dyfishoi rezultatin. Kalojnë pak minuta dhe Leao dhuron spektakël duke qenë protagonist në golin e trete të realizuar nga Zhiru. Pas një traverse të Leaos, në fund ka kohë edhe për golin e 4 dhe të fundit të Mesias. Milan gëzon kualifikimin dhe 60 milionë eurot që sjell kjo arritje, ndërsa Salzburg zbret në Europa League. Në takimin tjetër, Chelsea  përmbysi dinamon e Zagrebit në Londër, falë golave të Sterling dhe Zakaria për të blinduar vendin e parë në grup.

 

Në 16 më të mirat e Evropës edhe Lajpcig që mposhti 4 me 0 në Shaktar Donjtez në duelin direkt, duke e mbyllur grupin F në vendin e dytë pas krahëve të Real Madrid. Kampionët në fuqi të Evropës luajtën thuajse një ndeshje stërvitore kundër Selltik në “Bërnabeu”, duke fituar 5 me 1 falë golave të Modriç e Rodrigos me penallti si dhe Asensios, Vinisius dhe Valverde.

 

Juventus e mbylli në mënyrën më të keqe të mundshme këtë sezon në Champions, pasi u mposht  2 me 1 në Torino nga PSG. Një supergol i Kilian Mbape hapi ndeshjen në Alianz. Bonuçi barazoi shifrat në minutën e 39, mirëpo Mendez në pjesën ë dytë i dha suksesin francezëve, të cilët në mënyrë të pabesueshme zbritën në vendin e dytë, pasi Benficka fitoi 6 me 1 në transfertë kundër Makabi Haifa. Goli i 6 i miqve që vendosi gjithçka, u shënua në sekondat e fundit nga Zhoa Mario. Benfica dhe Psg e mbyllën në ekuilibër gjithçka në ndeshje direkte dhe golavarazh, por gjithçka u vendos nga golat më të shumtë në transfertë, ku ishte më mirë skuadra portugeze.

 

Në grupin G Manchester Citi e mbylli i pari pas fitores 3 me 1 ndaj Sevijes, ndërsa Dortmund i dyti u ndal nga Kopenhagen në transfertë. Shorti për fazën e 1/8 hidhet në datë 7 nëntor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *